Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim 11 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, prodhim dhe shpërndarje narkotikësh, si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, grupi dyshohet të ketë vepruar si një rrjet kriminal me lidhje ndërkombëtare, duke importuar kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian. Në mesin e të pandehurve janë edhe Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez dhe Geis Sejfullai, të cilët akuzohen për drejtim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafikim droge. Ndërkohë, Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini akuzohen për pjesëmarrje dhe trafikim narkotikësh.
Hetimet kanë zbuluar se grupi ka fshehur rreth 90 kilogramë kokainë në dy ngarkesa të importuara nga Republika Domenikane, të deklaruara si “lëkurë gjedhësh”, me një vlerë tregu rreth 3.6 milionë euro. Ngarkesat mbërritën në Portin e Durrësit dhe u magazinuan në zona të Mulletit në Tiranë.
SPAK njofton gjithashtu se hetimet do të vazhdojnë për disa vepra të tjera të rënda, ndërsa ky procedim lidhet edhe me një çështje të vitit 2022, ku të njëjtët persona ishin përfshirë në importimin e një sasie të madhe kokaine nga Kolumbia, të fshehur në “pleh organik artificial”.
Hetimi është zhvilluar duke përdorur teknika speciale dhe në bashkëpunim me agjenci ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare.









