Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, doli partia e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë, por me gjasë duket se i duhet të negociojë për një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re të ardhshme në mandatin katër vjeçar. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që numëroi rreth 90% të votave, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, fitoi 41.29 për qind të votave e pasuar nga Partia Demokratike me 22.68 për qind, Lidhja Demokratike me 17.9 për qind dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 7.56 për qind.
Kurti: “Konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike e progresiste”
Duke ju drejtuar simpatizantëve të tij në mesnatë që festonin fitoren në sheshin kryesor të kryeqytetit, Kurti tha se, “ne do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera, në përputhje me zotimet tona, cep më cep Kosovës”.
“Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Falënderoj të gjithë votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të koalicionit tonë fitues me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa. Pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike e progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re pra Kurti 3 dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë edhe ato punët që i kemi nisur por edhe shumë të tjera të reja”, tha Kurti.
Probleme me sistemin elektronik të KQZ
Vetëm pak orë pas përfundimit të votimit, ku KQZ do të duhej të dilte me rezultatet paraprake pati një dështim të sistemit elektronik të shfaqjes së të dhënave dhe sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ata u detyruan që votat t’i numëronin në mënyrë manuale. Pas dështimit të softuerit për shfaqjen e rezultateve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë. “Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar”, u tha në njoftimin e presidentes.
PDK: “Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie”
Partia e dytë që u rendit në zgjedhjet e së dielës ishte Partia Demokratike e Kosovës PDK, dhe sipas zëdhënësit të fushatës Blerand Stavileci, ky është një sukses i madh dhe i pamohueshëm. “PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se “sa i përket koalicioneve, duhet pritur në finalizimin e rezultateve”
LDK: “Përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga ana e tij, tha se partia e tij është renditur si partia e tretë në këto zgjedhje dhe ai e merr përgjegjësinë për rezultatin jo të mirë që ai nuk e kishte pritur. “LDK-ja pret t’i fitojë rreth 190 mijë vota nga ky proces zgjedhor. Duhet të jetë diku rreth 20 për qind, kur të numërohen edhe votat e diasporës. Është një rezultat që e respektojmë dhe përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë”, tha zoti Abdixhiku në një konferencë për shtypin.
Sidoqoftë, sipas KQZ-së, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, nuk u shënua ndonjë incident, ndërsa, përqindja e daljes në zgjedhje ishte më e vogël sesa në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 48%. Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin mbi 2 milionë qytetarë, ndërsa votuan rreth 790 mijë qytetar♪7, që shndërruar në përqindje i bie pak mbi 40%. Mbi 940 qendra votimi ishin të hapura gjatë ditës së dielë, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ju bashkuan vëzhguesve tjerë vendas e ndërkombëtarë.
Pjesëmarrje e lartë në zgjedhje mes serbëve në veri
Zgjedhje u mbajtën edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak më e lartë sesa në zonat e tjera të Kosovës. Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Njohësit e rrethanave politike thanë se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik edhe në mesin e serbëve të Kosovës.