Prokuroria e Posaçme ka listuar të gjitha akuzat kundër kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, që u arrestua ditën e sotme në bashki. Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa duhet të përballet me masën e sigurisë arrest shtëpie, 5 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha detyrim paraqitjeje. Arrest me burg është caktuar për Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish “METALFORM”), masë që ende nuk është ekzekutuar.
“Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të” njofton SPAK.