Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri 24 orë në burg dhe nesër del para gjykatës, ndërkohë që dosja me rreth 400 faqe që u kërkua masa e arrestit po del pjesë pjesë. Në vendimin e GJKKO-së, zbulohet edhe roli i Klotilda Bushkës, se si deputetja socialiste është e përfshirë në veprimtari në mbrojtje të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës.
Në vendim janë zbardhur të gjitha detajet që tregojnë se si Klotilda Bushka kishte thirrur në takim, në datën 10.12.2024, Ina Goxhajn pas njoftimit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për ta urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë procesit të pyetjeve në SPAK.
Takimi i dytë është zhvilluar pasdite në datë 11.12.2024, ku deputetja socialiste Klotilda Bushka e ka thirrur Ina Goxhajn për ta mësuar se çfarë duhet të thoshte në Prokurorinë e Posaçme dhe çfarë duhet të mohonte kategorikisht.
“Pas njoftimit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ka realizuar disa takime me shtetasen Klotilda Bushka, Ajola Xoxa, apo edhe me disa avokatë. Takimi i parë është zhvilluar me shtetasen Klotilda Bushka (të cilën e ka kushërirë) në datë 10.12.2024, në banesën e prindërve të Klotildës që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe. Ka shpjeguar se në këtë takim i ka treguar Klotildës që e kanë thërritur në prokurori, dhe Klotilda e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë pyetjes së saj.
Takimi i dytë është zhvilluar pasdite në datë 11.12.2024, në ambientet e një zyre avokatie, ku pikë kontakti për këtë takim ka shërbyer shtetasi Erald Ismaili i cili e ka telefonuar vetë shtetasen Ina Goxhaj. Në takim ka gjetur Klotilda Bushkën, dhe një djalë tjetër të cilin nuk e di kush është. Fillimisht, ka biseduar me Klotildën, për të cilën sqaron se ajo e mësonte se çfarë duhej të thoshte, gjërat që do të mohoheshin në mënyrë kategorike. Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin.
Një tjetër shqetësim i deputetes socialiste Klotilda Bushka ishte adresa e selisë së BYL-A. Në vendimin e GJKKO-së zbardhet se zyrat e BYL-A ishin në fakt shtëpia e deputetes socialiste Klotilda Bushka.
Kjo e fundit ka kërkuar nga shtetasja Ina Goxhaj që të marrë përsipër gjithçka, deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka dhënë një dokument i cili shërbente për ndryshimin e adresës së qendrës BYL-A dhe i ka sugjeruar Inës që të deklarojë që ka qenë neglizhencë e saj mos ndryshimi i adresës.
Po kështu, shpjegon se Klotilda i ka thënë se nuk duhej të përmendte emrin e Ajolës apo të tregonte se si kishin funksionuar gjërat.
Ajo shpjegon se Klotilda i ka kthyer telefonin “Samsung A35”, me qëllim që të kopjonte të dhënat e nevojshme dhe t’ia kthente sërish për asgjësim.
Në datë 12.12.2024, kjo shtetase deklaron se i ka dhënë Klotildës telefonin “Samsung A35” me qëllim asgjësimin e tij. Shpjegon se sipas udhëzimeve të avokatit, Ajolës dhe Klotildës, ka lajmëruar oficerët se nuk mund të paraqitej në prokurori për arsye shëndetësore.
Po kështu, deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka dhënë një dokument i cili shërbente për ndryshimin e adresës së qendrës BYL-A dhe i ka sugjeruar Inës që të deklarojë që ka qenë neglizhencë e saj mos ndryshimi i adresës. Në këtë takim, është bashkuar edhe Ajola Xoxa, e cila i ka kërkuar Inës që t’ia dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte.
Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të pas i mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjësonin.
Po kështu, deklaruesja shprehet se avokatët ishin të shqetësuar pasi në Prokurori ishte paraqitur dhe Adela Kondakçiu. Duke nisur nga zgjatja e deklarimeve të kësaj shtetase, ata ishin në merak mos Adela kishte folur para hetuesve” thuhet në dosje.