Deputetja Klotilda Bushka ka reaguar pas është marrë nën hetim nga SPAK. Ajo dyshohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Bushka në rrjetin e saj social shprehet se është pa fjalë, pasi prej 24 orësh figuron në emrat e grumbulluar nga SPAK për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie.
Ajo nënvizon se ka folur me Ajola Xoxën dhe do të flasë sa herë që ajo ta kërkojë.
Bushka thekson se nuk ka folur me të për të mbuluar të vërtetën. Deputetja shprehet se ka kërkuar që dëgjohet nga grupi parlamentar dhe mezi pret të dëgjohet edhe nga ata që e kanë futur emrin esaj në akt-hetim.
“Jam “pa fjalë” prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film, për të cilat maksimumi i akuzave për Erjon Velinë dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë. Por kjo është një temë tjetër.
Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte sipas SPAK-ut balta që i shoqëron këto goditje të tij, për të cilat më shpejt vihen në dijeni disa gazetarë “specialë”, se sa kush përgojohet pa u pyetur fare?
A jam unë shoqe që nga fëmijëria me Ajola Xoxën?
Po, dhe s’kam për ta mohuar, as harruar kurrë.
A jam unë edhe shoqe me Erjonin?
Po, që në rininë e parë dhe jam krenare edhe për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën.
A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje?
Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet.
Thënë sa më lart, kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë.”, shkruan Bushka.