Në orët e vona të natës, Policia e Peqinit ka realizuar një aksion të befasishëm, duke ushtruar kontrolle në lokale dhe automjete që qarkullonin në qytet. Qëllimi i aksionit ishte kapja e personave që mbajnë armë pa leje, shpërndajnë lëndë narkotike dhe identifikimi i atyre që janë në kërkim për vepra të ndryshme penale. Po ashtu, kontrollet përfshinë edhe lokalet ku dyshohet se ushtrohen aktivitete të kundërligjshme, si lojërat e fatit.
Gjatë aksionit, ka pasur kundërshtime nga disa pronarë lokalësh dhe qytetarë për mënyrën e ushtrimit të kontrollit. Disa persona kanë refuzuar t’u dorëzojnë telefonat, por ato janë marrë forcërisht nga policia. Pjesë e aksionit ka qenë gjithashtu shoqërimi i disa individëve për verifikim në komisariatin e Peqinit. Sipas burimeve, aksionet do të vazhdojnë, duke u mbështetur në informacionet e grumbulluara për goditjen e paligjshmërisë në qytet.