Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, me ftesë të ministrit Federal të Financave të Gjermanisë.
Sveçla me anë të një postimi në rrjetin social në facebook shprehet se ishte folës në ministerialin e katërt me temën “Financimi i terrorizmit si kërcënim global i sigurisë”. Ai ka theksuar angazhimet institucionale të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit dhe financimit të tij.
“Me këtë rast, para të pranishmëve potencova edhe sfidën e financimit nga Serbia të grupeve dhe individëve të caktuar, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste brenda vendit tonë për të destabilizuar sigurinë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, shkruan Sveçla.
Ai gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin e plotë me shtetet aleate në këtë betejë, të cilën e quajti të përbashkët dhe e cila përbën rrezik global.