-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Alket Veliu: Lajm i hidhur për të gjithë shqiptarët, ndërron jetë mjeshtri i madh i diplomacisë Shaban Murati

Kryesoret

Diplomati shqiptar Shaban Murati mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit. Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” zoti Alket Veliu largimin e Muratit nga jeta e cilëson si lajm të hidhur për të gjithë shqiptarët.

Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, Shaban Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Murati ishte edhe autor i njohur, duke publikuar një sërë librash dhe analizash mbi çështjet e Ballkanit, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Postimi i plotë i zotit Alket Veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”

NDËRRON JETË MJESHTRI I MADH I DIPLOMACISË SHABAN MURATI

Të nderuar miq, bashkëatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës!

Mjeshtri i Madh i diplomacisë Profesori i shquar, personaliteti poliedrik, humanisti, historiani, gazetari e polemistë i flaktë, Profesor Shaban Murati, iku në amshim. U prehtë në paqe Shpirti i Tij! Ngushëllime familjes dhe gjithë atdhetarëve shqiptarë!

Shpirti i të ikurve vjen nëpërmjet kujtesës. Prof. Shaban Murati do të komunikojë me të  gjallët përjetësisht, për të  verifikuar testamentin e veprave të shumta kombëtare. Kjo është  një  e vërtetë  që  u përket studiuesve të  vërtetë. Vdekëtarët e rëndomtë, nuk mund të  luajnë  rolin e pasvdekjes. Vdektarët e pazakontë, si Shaban Murati, patjetër mund ta luajnë.

Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Prof. Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Me një aktivitet të gjatë publicistik, diplomatik, filozofik e letrar, Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim. Në Shqipërinë tonë, ku rrallë flitet për atdhetarizëm normal dhe ku në diplomaci po ndodh një fenomen i gjemetrisë ireale dhe absurde, Shaban Murati, vizionar dhe kurajoz, u përpoq të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.

Personalitete të tilla janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo.

Ai përfaqësonte një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre, sentencat diplomatike të ambasadorit janë pohime sublime për të hequr dorë nga hallaktjet e deliri spontan dhe për të mos u trembur nga fantazma e vetvetes.

Murati është, para së gjithash, themeluesi i modelit kulturor kritik të diplomacisë shqiptare, duke nxitur shkollën diplomatike shqiptare të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik. Veprat e tij janë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme.

Ato përbëjnë një kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të saj. “Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë, përgjithësisht kanë qenë profanë në diplomaci dhe nuk patën as vizion e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare.

Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë: “Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame”.

Në librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”.

Mund të shprehemi pa droje se në historinë e diplomacisë shqiptare Shaban Murati renditet pas Mehmet Konicës, Medi Frashërit e Rauf Ficos.

Murati, ashtu si Fico, mbetet gjithmonë një evropian i madh i një vendi të vogël, një studiues vizionar dhe me ndërgjegje të pastër kombëtare, prijës i diplomacisë shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme në themelin e diplomacisë sonë.

I qoftë dheu i lehtë në gji të Parajsës!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit