Ju kujtohet në 2013 mediat u ngritën peshë për një marrëveshje që nuk ndodhi kurrë? Një biznesmen libanez kërkoi konsulencë ligjore, dhe Argita Berisha, sipas tij, i kërkoi 3% të investimit për shërbimin. Vetëm biseda biznesi, pa asnjë transaksion! Madje, edhe rastet me Fazlliçin të paktën kishin një produkt konkret – dikush ofroi një shërbim, dikush e pagoi. Por atëherë, Rama dhe Veliaj nuk lanë ekran pa u shfaqur, nuk lanë mikrofon pa mbushur me “shokimin” e tyre për këtë “skandal”.
Po kur erdhën vetë në pushtet? Atëherë ndodhi magjia! Kompanitë e ndërtimit u rreshtuan me radhë për të kaluar nga OJF-të dhe firmat e Ajola Xoxës – ca për konsulenca ligjore se si të merrnin leje ndërtimi në bashkinë ku burri i saj firmoste, ca për të blerë piktura mediokre, ca për “donacione” edukative. Dhe jo më me tarifa “skandaloze” 3%, por me shifra që edhe Rudi Giuliani do t’i kishte zili – 13 mijë dollarë për 30 minuta konsulence! Shikoni listën, kush donte leje ndërtimi, tender nga Bashkia, ndere politike e emërime, ishin klient të zyrës së Xoxes! Në fund të gjithë të kënaqur!
Dhe pjesa më ironike? Gjashtë biznesmenë shqiptarë – jo libanezë – tani janë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për korrupsion. Akuzohen se kanë paguar shuma të majme në emër të konsulencave, donacioneve apo blerjeve të artit, me një përfitues të zakonshëm: bashkëshorten e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Dhe çuditërisht, si rastësisht, këta biznesmenë merrnin leje ndërtimi dhe kontrata publike nga Veliaj!
Si reagon Rama? “Mos e akuzoni Veliajn për aktivitetet e gruas së tij!”
Pra, kur bëhej fjalë për Argita Berishën, që as nuk e realizoi marrëveshjen, Rama bërtiste për korrupsion. Por kur biznesmenët shqiptarë kapen duke paguar për “konsulencat” e zonjës Xoxa, atëherë s’qenka faji i Veliajt. Shumë parimore, apo jo? Edhe në SHBA nuk kushton 13 mijë dollar një “këshill” ligjore 30 minutëshe!