Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ambasador Shaban Muratit, një figurë me kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe në fushën e studimeve diplomatike, historike e politike.
Presidenti Begaj në mesazhin e ngushëllimit vlerëson veprimtarinë e Ambasador Muratit në çështjet atdhetare, duke e cilësuar atë si një studiues që gjithmonë ka punuar e ka dhënë orientime për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të jetë në anën e drejtë të historisë.
Mesazhi i ngushëllimit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj:
“Me dhembje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, diplomatit, historianit politik, njohësit të shkëlqyer të gjeopolitikës rajonale, mikut tim, Shaban Murati.
Çdo bisedë që zhvillova me të, çdo këshillë që më jepte, ishte e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vyer.
Shaban Murati, burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë dhe gjithmonë me vete, do të mbetet mes nesh si veprimtari i përhershëm që foli, shkroi dhe ndau dijen për të na orientuar në anën e të mirës dhe të drejtës në histori.
Shaban Murati iku i bekuar duke lënë pas, veç tre bijve, pasardhës të denjë të tij, edhe vepra të rralla për ne!
Shpirti t’u prehtë në paqe, i miri Shaban Murati!”