Një varkë e vogël me emigrantë është fundosur në brigjet e Calais, teksa po përpiqej të kalonte Kanalin Anglez. Autoritetet franceze bëjnë me dije se një person ka vdekur ndërsa 69 janë shpëtuar.
Shkak dyshohet se ka qenë mbingarkesa në mjetin lundrues, ndërsa mësohet se vetëm gjysma e atyre në bord kishin jelek shpëtimi.
Në operacionin e shpëtimit u përfshi edhe helikopteri Dauphin i marinës franceze. Dy persona u transportuan pa ndjenja në Abeille Normandie. Njëri u reanimua ndërsa tjetri u dërgua me helikopter në spital, ku më pas u shpall i vdekur.
Viktima është personi i katërt për këtë vit që vdes duke u përpjekur të kalojë Kanalin me një varkë të vogël.