Mijëra studentë mbërritën në qytetin qendror të Serbisë, Kragujevc ditën e sotme për të kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga autoritetet, pas incidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor.
Njëkohësisht, mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë planifikuar mbajtjen e një tubimi për ta shënuar 15 Shkurtin, Ditën e Shtetësisë, në Sremska Mitrovicë, në veriperëndim të Beogradit.
Protesta e udhëhequr nga studentët është më e fundit në një varg protestash gjithëkombëtare prej 1 nëntorit, kur shembja e një strehe në stacionin e trenit në Novi Sad la të vdekur 15 njerëz.
Për këtë tragjedi, shumë serbë e fajësojnë korrupsionin dhe nepotizmin brenda qeverisë së presidentit Vuçiç, e cila i mohon akuzat. Analistët politikë thonë se demonstratat kanë krijuar një nga kërcënimet më të mëdha ndaj pushtetit dhjetëvjeçar të Vuçiqit.
Për më shumë se dy muaj, studentët në Serbi janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë vendin. Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për incidentin në Novi Sad./REL