Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e tij të fundit për luftën ndaj narkotikëve dhe pastrimit të parave, ku theksohet nevoja për të intensifikuar hetimet në Shqipëri. Sipas DASH, një pjesë e konsiderueshme e pastrimit të parave në vend lidhet ngushtë me trafikun e drogës, evazionin fiskal dhe korrupsionin.
Raporti thekson se Shqipëria duhet të forcojë kapacitetet e institucioneve të drejtësisë, përfshirë policinë dhe prokurorinë, duke u fokusuar më shumë në çështjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
“Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar te korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore të nisur në vitet 2016-2017.” DASH
Në raportin e DASH, vlerësohet puna e Prokurorisë së Posaçme, veçanërisht hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.
“Në tetor 2023, SPAK njoftoi hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion, pasi dhëndri i tij përfitoi afro 5 milionë dollarë. Po në tetor, gjykatat dënuan ish-ministrin e mjedisit Koka, për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre sepse një kompani i dha atij 1.47 milionë dollarë.”
Për më tepër, DASH rekomandon rregullimin e legjislacionit për institucionet e mikrokredive dhe monedhat dixhitale, për të parandaluar mundësitë e abuzimit me sistemin financiar.