Ngjarjet e javës së kaluar kanë dëshmuar edhe një herë se rendi ndërkombëtar po pëson ndryshime transformuese dhe afatgjata. Tre konferenca të ndara, por të ndërlidhura—Samiti i Veprimit mbi Inteligjencën Artificiale në Paris, Ministriali i Mbrojtjes i NATO-s në Bruksel dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih—dhuruan sinjale të rëndësishme për liderët evropianë, përfshirë Shqipërinë.
Si një anëtare e NATO-s dhe një shtet që synon anëtarësimin në BE, Shqipëria duhet të vlerësojë me kujdes këto ndryshime për të garantuar sigurinë e saj, qëndrueshmërinë ekonomike dhe pozicionimin diplomatik.
Nga këto konferenca dolën tre mesazhe kyçe që kanë ndikime të drejtpërdrejta për Shqipërinë:
- Evropa duhet të përgatitet për një rend të ri sigurie me një angazhim më të reduktuar të SHBA-së, pasi Uashingtoni po e zhvendos fokusin e tij strategjik drejt rajonit Azi-Paqësor.
-
Inteligjenca Artificiale (IA) do të jetë një faktor vendimtar në konkurrencën ekonomike dhe ushtarake, gjë e cila kërkon që vendet evropiane të rrisin investimet dhe integrimin teknologjik.
-
Dinamika gjeopolitike në Evropë po ndryshon, me Shtetet e Bashkuara që po bëhen gjithnjë e më të zëshme rreth ndasive ideologjike, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimet politike dhe elektoralenë Shqipëri.
Evropa dhe SHBA drejt një ndarjeje të butë
Në Ministrialin e Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi nevojën që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë në rajon, ndërsa Uashingtoni krijon aleanca të reja në Azi. Perspektiva e një përfshirjeje më të ulët të SHBA-së në sigurinë evropiane nuk është më thjesht hipotetike—ajo është një skenar gjithnjë e më i mundshëm, veçanërisht ndërsa Uashingtoni e përqendron vëmendjen e tij tek konkurrenca strategjike—ekonomike, politike, dhe ushtarake—me Kinën.
Për Shqipërinë, kjo nënkupton nevojën për forcim të aftësive të mbrojtjes kombëtare dhe ndërtimin e lidhjeve më të ngushta të sigurisë me partnerët evropianë. Kjo përfshin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen përtej pragut prej 2% të PBB-së të vendosur nga NATO, investime në programe modernizimi dhe pjesëmarrje aktive në iniciativat e mbrojtjes të udhëhequra nga BE. Për më tepër, Shqipëria duhet të eksplorojë bashkëpunime më të thella të mbrojtjes me aleatë rajonalë si Italia, Turqia, Greqia dhe Kroacia, duke siguruar që të mbetet e përfshirë strategjikisht në kuadrot e sigurisë evropiane përtej NATO-s.
Gjithashtu, Shqipëria duhet të përmirësojë infrastrukturën e saj të sigurisë kibernetike. Duke marrë parasysh cenueshmëritë e saj të mëparshme dhe faktin se luftërat gjithnjë e më shumë po zhvillohen në hapësirat digjitale, Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, veçanërisht atyre të orkestruara nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë kundër interesave perëndimore. Përforcimi i mbrojtjeve digjitale dhe rrjeteve të shkëmbimit të inteligjencës do të jetë thelbësor për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Inteligjenca Artificiale si Një Faktor Vendimtar në Gjeopolitikë
Samiti i Veprimit mbi Inteligjencën Artificiale (AI Action Summit) në Paris përforcoi idenë se Inteligjenca Artificiale do të luajë një rol thelbësor në formësimin e fuqisë ekonomike dhe ushtarake. IA është tashmë një shtyllë kyçe e strategjive ushtarake, operacioneve të inteligjencës dhe rritjes ekonomike të një seri shtetesh, duke përfshirë SHBA-në, Kinën, dhe Indinë. Ndërsa vendet evropiane kanë pasur tradicionalisht një qasje të kujdesshme mbi sigurinë dhe etikën e IA-së, samiti i Parisit sinjalizoi një zhvendosje të qartë drejt investimeve më të mëdha dhe më ambicioze dhe zhvillimit teknologjik në mënyrë që Evropa të rekuperoj distancën e humbur ndaj SHBA-së dhe Kinës.
Shqipëria, edhe pse një komb i vogël, mund të pozicionohet si një aktor që përfiton nga revolucionit eknologjik. Qeveria mund të mbështesë zhvillimin e industrive të drejtuara nga IA përmes investimeve të synuara, partneriteteve publike-private dhe kuadrove rregullatore që inkurajojnë inovacionin duke siguruar një përdorim etik të IA-së. Bashkëpunimet me qendrat kërkimore evropiane të IA-së mund ta ndihmojnë Shqipërinë të krijojë një forcë pune teknologjikisht të avancuar dhe të integrojë zgjidhje të bazuara në IA në sektorët e qeverisjes, sigurisë dhe ekonomisë.
Ndryshimet Ideologjike të SHBA-së dhe Peizazhi Politik i Shqipërisë
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih (Munich Security Council), komentet e Zëvendës Presidentit Amerikan, JD Vance, shkaktuan reagime të ashpra nga aleatëve evropianë, veçanërisht për kritikat e tij në lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes. Deklaratat e tij nxorën në pah një dallim më të gjerë ideologjik midis Shteteve të Bashkuara dhe disa qeverive evropiane lidhur me qeverisjen, politikat sociale dhe rregullimin e platformave digjitale. Mesazhi nga administrata amerikane sinjalizoi një orientim të ri politik, ku SHBA-ja po tregon gjithnjë e më shumë prirje për të mbështetur qeveritë populiste dhe të djathta në Evropë si një kundërpeshë ndaj vlerave progresive ose të ashtuquajtura ‘woke’.
Për Shqipërinë, këto ndryshime ideologjike mund të kenë pasoja në skenën politike vendase. Nëse Uashingtoni angazhohet më shumë në çështjet e brendshme të politikës evropiane, veçanërisht në mbështetje të partive sovraniste dhe të djathta, kjo mund të ndikojë në balancën mes Partisë Socialiste në pushtet dhe forcave opozitare, veçanërisht Partisë Demokratike. Për më tepër, debatet mbi rregullimin e dezinformimit dhe mbikëqyrjen e portaleve mediatik—të cilat kanë qenë të diskutueshme në Shqipëri—mund të politizohen edhe më shumë në këtë kontekst.
Përfundim
Realiteti global po ndryshon me ritme të shpejta. Konferencat e fundit globale të sigurisë në Paris, Bruksel dhe Mynih e bënë të qartë se vendet evropiane duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre, të shfrytëzojnë fuqinë e Inteligjencës Artificiale dhe të tregojnë kujdes ndaj debatit të vështirë mbi lirinë e shprehjes dhe të të drejtave të njeriut.
Për Shqipërinë, këto zhvillime nënkuptojnë një kontekst rajonal më të pasigurt, një mjedis teknologjik potencialisht transformues dhe një klimë politike që po ndikohet gjithnjë e më shumë nga betejat ideologjike midis Uashington-it dhe Evropës.
Medlir Mema Ph.D. Kreu i Programit për IA dhe Governancen Globale, Global Governance Institute (Bruksel)