Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas një investigimi që zbulon përfitime të dyshimta tenderash nga drejtorë të varësisë së ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, të udhëhequr nga Belinda Balluku.
Bardhi akuzon drejtorët e Ballukut, si Ceno Klosi dhe Klevis Jahaj, se janë të përfshirë në skema korrupsioni dhe përfitojnë nga tenderat klientelistë, duke shfrytëzuar pushtetin për interesat personale.
Më poshtë reagimi i plotë i Gazment Bardhit
DREJTORËT E BELINDËS DITËN NË FUSHATË DUKE USHTRUAR PRESION MBI QYTETARËT E FIERIT, NDËRKOHË QË NATËN KTHEHEN TË FIRMOSIN TENDERA PËR VETEN APO NJËRI-TJETRIN!
Në Fier Belinda Balluku ka anashkaluar socialsitët e ndershëm, i ka përbuzur, i ka nënvlerësuar, për ti zëvendësuar më Ceno Klosin apo Klevis Jahajn, që janë fytyra e saj në qarkun Fier! Njëri nën hetim nga SPAK për korrupsion, ndërsa tjetri kandidat për në SPAK me abuzimin masiv me tendera klientelist.
Modeli i korrupsionit qeveritar që përfaqëson si askush tjetër Belinda Balluku, Ceno Klosi, apo Klevis Jahaj, nuk mund të jetë kurrë modeli përfaqësues i qytetarëve të qarkut Fier.
Tentativës së tyre për të blerë dinjitetin e qytetarëve fierak, përmes pyetjes që bëjnë në çdo takim “çfarë doni në këmbim të votës, lekë apo favore?”, unë pres që ti jap përgjigje sa më parë Njësia e Posaçme e krijuar pranë SPAK për krimet zgjedhore. Por që sot di me siguri të plotë, që votën nuk e kërkojnë për ti shërbyer qytetarëve, por për të vazhduar të na vjedhin çdo ditë, siç tregon edhe investigimi i mëposhtëm.
Prandaj sot çdo qytetarë i ndershëm i këtij vendi bën pyetjen: KUR DO NDËSHKOHET KORRUPSIONI I BELINDA BALLUKUT, ZËVENDËSVE APO DREJTORËVE TË SAJ?
Mjafton ky investigim më poshtë për të nisur një hetim të plotë e të gjithanshëm për skemën “5D” të “berberëve” të Belindës. Vetëm në një tender shpërblejnë njëri tjetrin me 8.4 milion euro. Sa të tilla ka?
Më poshtë, ju ftoj të lexoni pjesë nga investigimi i Kapitali.al:
Zyrtari që firmosi tenderin 8.4 milionë euro për Kovaçin është KLEVIS JAHAJ, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve. Zoti Jahaj dhe zoti Kovaçi nuk janë të panjohur për njëri-tjetrin.
Në këtë foto Jahaj dhe Kovaçi shfaqen në një mbledhje të drejtuar nga Emirjana Sako, ku u shtruan bazat për reformën në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës me plan rritjen e investimeve në shkallë rajonale. Dhe investimet me sa duket janë me cikël të mbyllur. Ata që marrin vendimet për investime, pasi mbarojnë mbledhjet i firmosin tendera njëri tjetrit.
Megjithatë fijet e këtyre personazheve me pushtetin ngjasojnë me ato të merimangës. Zoti Kovaçi është duke ndërtuar një hotel luksoz në Durrës. I quajtur Azure Elegance Hotel, leja për të është marrë në maj të vitit 2023 nga kompania Adriatic Union. Kjo e fundit në atë kohë zotërohej nga dy aksionerë, Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, vëllai i zëvendësministrit të Infrastrukturës, Ceno Klosi.
Më vonë, pas marrjes së lejes me firmën e Edi Ramës, Genti Klosi i shiti aksionet për një çmim simbolik dhe pronar i kompanisë u bë 100 për qind Petrit Kovaçi. Nuk dihet nëse shitja ka qenë reale, pasi një sërë hetimesh të SPAK kanë treguar se në shumë raste pronarët në letra dhe ata faktikë të kompanive nuk përputhen.