Ditën e sotme grupi militant Hamas liroi 6 pengje të tjera izraelitë në këmbim të qindra të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë. Kjo si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin për t’i dhënë fund luftës dhe pasi u konfirmua se trupi i Shiri Bibas iu dorëzua forcave izraelite.
Eliya Cohen, 27 vjeç, Omer Shem Tov, 22 vjeç dhe Omer Wenkert, 23 vjeç, që u morën peng nga një festival muzikor gjatë sulmt të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 në Izraelin jugor, iu dorëzuan Kryqit të Kuq për t’u transportuar tek forcat izraelite.
Dy pengje të tjerë u liruan të shtunën herët në mëngjes në qytetin Rafah të Gazës. Tal Shoham, 40 vjeç, i cili u mor peng gjatë sulmit të 7 tetorit në zonën e njohur si “Kibbutzi Be’eri” dhe Avera Mengistu, 39 vjeç, i cili kaloi vetë në Gazë rreth një dekadë më parë.
Ushtria izraelite tha se pengu i fundit, Hisham Al-Sayed, 36 vjeç, u lirua në orët e pasdites të së shtunës. Ai kaloi vetë kufririn për në Gazë në vitin 2015 dhe që atëherë ishte mbajtur në burg. Familja e tij ka thënë për mediat izraelite, se Al-Sayed ishte diagnostikuar më parë për skizofreni. Në këmbim, Izraeli do të lirojë më shumë se 600 palestinezë nga burgjet izraelite.