Lirohet nga qelia Dioment Musa. Me kërkesë të prokurorisë Sarandë gjykata vendosi ta linte në arrest shtëpie. Ai akuzohet se bashkë me nipin në kërkim dhunuan kryetarin e Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, Arben Çipa. Shkak i konfliktit u bë linja elektrike në një zonë ku biznesmeni do të investonte.
“Aktualisht, ndodhem në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Dëmtimet në fytyrë janë serioze dhe ky është shqetësimi kryesor për momentin, megjithatë, besoj se me kalimin e kohës do të përmirësohem.
Dua të theksoj se nuk kam pasur asnjë lidhje me këta individë, pavarësisht se vijmë nga i njëjti qytet. Nuk kam pasur marrëdhënie me ta as në të kaluarën dhe asgjë nuk më lidh me ta. Unë kam investuar në një zonë të re turistike dhe po merresha me ndërtimin e infrastrukturës.
Në atë fazë, isha i angazhuar me vendosjen e sistemit elektrik, një projekt konkret i OSHE-së. Puna ime ishte të ndjek procesin dhe të mbikëqyr specialistët.
Në një moment tjetër, ndërsa po kaloja pranë zonës për të shkuar në biznesin tim, ata më ndaluan në rrugë, filluan të më shanin dhe më goditën, fillimisht me grushte dhe më pas edhe me gurë. Ajo që më tronditi më shumë ishte dhuna ekstreme dhe agresiviteti i tyre primitiv”, tha Çipa.