Pasditja e 4 tetorit mbërriti me një shi të rrëmbyer në qytetin e Vlorës. Ndërsa rrugët filluan të shndërroheshin në lumenj, Erilda Hazizaj po ndihmonte fëmijët të bënin detyrat. Në shtëpinë e saj modeste me qira në Karabash, uji nisi të futej vrullshëm nga dera e kuzhinës.
“Bashkëshorti mbeti i bllokuar në një fshat afër, pa mundur të vinte në shtëpi,” tregoi Erilda, që asokohe ishte 6-muajshe shtatzënë dhe e vetme me 4 fëmijë të mitur, më i madhi 12 vjeç dhe më i vogli tre vjeç.
“U tremba, mora fëmijët në krah dhe u ngjitëm në katin e dytë,” kujtoi ajo, ndërsa tregoi se niveli i ujit brenda në banesë u rrit menjëherë, duke shkatërruar gjithçka, përfshirë edhe librat e fëmijëve.
Sipas Erildës, për disa orë situata ishte dramatike dhe vetëm rreth mbrëmjes bashkëshorti ka mundur të gjejë një mundësi dhe t’i largojë nga shtëpia e përmbytur nga uji gruan dhe fëmijët.
Këtë vjeshtë qyteti i Vlorës përjetoi një nga përmbytjet më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa uji vërshoi në qindra shtëpi dhe biznese, duke shkaktuar dëme që përllogariten në miliona euro.
Të dhënat e siguruara nga BIRN dhe intervistat me ekspertë tregojnë se përmbytja u shkaktua si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes dhe pastrimit të kanalit kryesor të ujërave të shiut, rrjetit të amortizuar të kanalizimeve dytësore, mosfunksionimit të pompave të ndërmjetme dhe hidrovorit. Sistemi i kanalizimeve nuk ka mundur t’i përballojë ujërat e shiut, të cilat janë bashkuar me ujerat e zeza duke përmbytur të gjitha rrugët, kolektorët dhe rrjetin e kanalizimeve (lexo KETU shkrimin e plote).