Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë një komunikimi online me qytetarët për marrëveshjet që Shqipëria ka nënshkruar për pensionet me shtetet ku jetojnë shqiptarët.
Ai theksoi se janë arritur 15 marrëveshje për të njohur vitet e punës të shqiptarëve që jetojnë jashtë, ndërsa po vijojnë negociatat për një marrëveshje të tillë edhe me Greqinë, e cila sipas tij është më e vështira.
“Mesa kuptoj unë zonjë ju shkruani nga Greqia, keni shkuar atje mbase në vitet ‘90 ose më vonë por jeni atje, keni punuar atje me siguri dhe nuk keni paguar asgjë në sistemin e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë. Si ju janë qindra mijëra të tjerë. Si gjenden këto para që t’ju jepet të gjithëve pensioni që do të dëshironin? Ama nga ana tjetër nuk kemi ndenjur duarkryq por kemi bërë 15 marrëveshje për pensionet me vendet ku janë shqiptarë, dhe jemi duke negociuar me qeverinë greke, që është marrëveshja më e vështirë. Dy ishin të vështira, Italia.
Bëhen shumë më shpejt gjërat këtu se në vendet e BE se sa kohë u bë që është firmosur marrëveshja me Italinë, ka shkuar në parlament, është një histori burokracie dhe procedurash, vendet më të zhvilluar kanë më shumë burokraci, kështu që duke bërë marrëveshjet me Italinë kemi garantuar se vitet e punës së pensionistëve shqiptarë në Itali njihen. Shumë herë mirë dhe nganjëherë keq, kjo qeveri dhe unë në krye të saj jemi këtu për të bërë një detyrë. Nuk jam këtu për të dëgjuar gjithë farë lloj llafesh dhe për të gëlltitur poshtërsitë dhe sulmet ndaj meje, familjes, njerëzve me të cilët punoj sepse kam një axhendë tjetër por sepse jam në një mision”, tha ai.