Policia serbe ka bastrisur ditën e sotme katër organizata të shoqërisë civile si pjesë e një hetimi mbi dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar në Serbi. Kjo vjen pasi administrata e Donald Trump ngriu në janar fondet e kësaj organizate për 90 ditë.
Prokurori i Shtetit Nenad Stefanoiç tha se Serbia ka kërkuar informacione nga Departamenti amerikan i Drejtësisë mbi dyshimet për keqpërdorim të fondeve të USAID-it dhe pastrim parash në Serbi, duke iu referuar deklaratave të Presidentit Trump, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, miliarderit Elon Musk si dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë pas vendimit për ngrirjen e fondeve të USAID-it.
Departamenti i posaçëm kundër korrupsionit ka kërkuar nga policia “të mbledhë të gjitha të dhënat e zbulimit për të verifikuar informacionin dhe për të mbledhur prova mbi shpenzimet e dyshimta të fondeve të USAID-it, keqpërdorimit të fondeve dhe dyshimeve për pastrim parash”, tha prokurori Stefanoviç.
Policia është udhëzuar të mbledhë tërë dokumentacionin rreth donacioneve të USAID-it për katër organizata joqeveritare, tha ai.
Dy organizatat me seli në Beograd, Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Përgjegjësi, ‘CRTA’, si dhe Nisma Qytetare konfirmuan se forcat policore bastisën zyrat e tyre të martën.
CRTA, e cila bën vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve në Serbi, postoi në rrjetin X se “po bashkëpunonte plotësisht me autoritetet shtetërore”.
Organizata Nisma Qytetare e cilësoi bastisjen si një “sulm serioz kundër të drejtave themelore civile dhe vazhdimësi të trysnisë së jashtëligjshme ndaj shoqërisë civile në Serbi”.
“Përdorimi i policisë për qëllime politike paraqet një keqpërdorim të ashpër të institucioneve të shtetit për të goditur ata që mendojnë ndryshe dhe kufizim të aktiviteteve të lira dhe demokratike në Serbi”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.