Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, gjatë seancës parlamentare ka akuzuar Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Rektorin e Universitetit Bujqësor për përdorimin e Parlamentit për qëllime politike dhe shkelje të autonomisë universitare.
Ajo e quajti marrjen e dëgjesës nga ana e Rektorit në grupin parlamentar të PS si një rast skandaloz dhe një shkelje të ligjit për arsimin e lartë, duke theksuar se ky veprim fyeu pavarësinë e universiteteve nga politika.
Fjala e plotë:
Rasti skandaloz të marrjes së dëgjesës nga ana e Rektorit në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, e kërkuar apo e urdhëruar nga ana e Grupit të PS, është rasti më i rëndë që i ka ndodhur ndonjëherë këtij Kuvendi, në shkelje të Autonomisë Universitare dhe Rektori është në shkelje jo vetëm të ligjit për arsimin e lartë që sanksionon neutralitetin e universiteteve dhe pavarësinë e universiteteve nga politika.
Por gjithashtu Neni Nr. 70 i Kushtetutës parashikon ndarjen e pushteteve, kurse Kryeministri u kthye në një hetues, gjykatës për të shantazhuar Prokurorinë në mënyrë që ajo mos mbërijë tek Kryeministri dhe ky është një rast i paprecedent i ndodhur në Parlamentin e Shqipërisë
Ndaj Rektori, në qoftë se kishte ndonjë ankesë të shkonte në gjykatë.
Ju duhet të distancoheni nga ky rast flagrant i shkeljes së ligjit.
Këtë po kërkoj, distancim tuajin nga ky rast i paprecedent si Kryetare e Kuvendit dhe mos lejimi i zhvillimit të seancave të dëgjesës skandaloze, të turpshme me Rektorin e Universitetit Bujqësor, por dhe për raste të tjera që ju mund të sillni në një show , duke shfrytëzuar dhe duke përdorur Parlamentin, i cili nuk është i juaji, por është Institucioni më i lartë i vendit si Pushteti Legjislativ i zgjedhur për të përfaqësuar të gjithë qytetarët dhe nuk mund të përdoret Parlamenti nga ju si Ministri më shumë apo si një zyrë e Partisë Socialiste për të bërë dëgjesa dhe show shantazhi ndaj Prokurorisë siç bëri Kryeministri.