Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi i kërkoi Presidentit Bajram Begaj që të shkarkojë rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku pas dëgjesës në grupin e PS-së pasi SPAK arrestoi 24 zyrtarë të këtij institucioni.
“I bëj thirrje Presidentit ta shkarkojë rektorin. Një rektor kërkoi strehim në grupin parlamentar për të justifikuar një aferë të rëndë që ka ndodhur në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ky akt i paprecedent ndodh në një kohë kur rektori ende sot që flasim nuk ka kërkuar të sqarojë atë organ akademik që ka për detyre të sqarojë, që është senati akademik, por kërkon të rrëfehet në grupin parlamentar të PS në shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Kjo na krijon bindjen e plotë se ajo që po ndodh në Universitetin Bujqësor është një injorim i ligjit.
Ju si grup parlamentar nuk mund të bëheni strehë për çdo të korruptuar që akuzohet nga SPAK për të zhvilluar seanca dëgjimore me të akuzuar për korrupsion. Do ju vijë dita që do kërkojnë të rrëfehen edhe të akuzuarit për pjesëmarrje në krim të organizuar.
Më thonë që ka ardhur në grupin tuaj një kërkesë nga Safet Bajri për të dëgjuar, edhe ai pretendon se është i intimiduar nga SPAK. Nëse thirrni për të dëgjuar një të korruptuar thirrni edhe një që është i përfshirë në krim të organizuar” tha Bardhi.