Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ai dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të nënshkruajnë një marrëveshje përmes së cilës u jepet Shteteve të Bashkuara qasje e konsiderueshme tek mineralet e rralla fitimprurëse të Ukrainës dhe kompensim Uashingtonit për armët e dërguara në Ukrainë për luftën ndaj agresionit të Rusisë.
Zelenskyy do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë të premten për të nënshkruar paktin dhe për të diskutuar lidhur me luftën, tha Trump në mbledhjen e parë të kabinetit që kur mori mandatin.
Marrëveshja “është shumë e favorshme për ne “, tha Trump, por objektivi kryesor është që t’i jepet fund luftës, që ka shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e disa qindra mijëra ushtarëve rusë dhe ukrainas, si edhe civilëve ukrainas.
“Objektivi nr. 2 është të rimarrim shpenzimet”, tha Trump duke iu referuar më shumë se 100 miliardë dollarëve municione që Uashingtoni i ka dërguar Kievit. “Pa pajisjet tona, ajo [luftë] do të kishte përfunduar shumë shpejt”, me një kontroll të Rusisë mbi Ukrainën.
Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe është zotuar se nuk do të kthejë asnjë pjesë të saj.









