-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: Politika dhe “prova elektorale” e partive të reja

Kryesoret

Personalisht e kam pritur mirë faktin, që në këto zgjedhje shfaqja e bujshme e disa partive të reja, të vërteta, me peshë elektorale dhe strukturë politike, duke besuar që ato nëse do të kenë shans dhe fat politik, do t’i japin një diversifikim pozitiv zgjerimit të dimensioneve të ngurtësuara të pluralizmit politik, strukturës klasike të ndarjeve, “hartave gjeografike” të vjetra të konkurrencës elektorale, duke “thyer” tabutë politike dhe koracën e dominimit ekskluziv të partive tradicionale, klasike të pluralizmit historik në Shqipëri. Personalisht nuk kam qenë skeptik, duke vlerësuar mundësinë që partitë e reja, jo vetëm janë të nevojshme, por janë edhe të domosdoshme për të “thyer” një lloj esencializmi strukturor të ngurtë të politikës tradicionale shqiptare. Prania e tyre i ka zgjeruar konturet e garës, por njëherësh edhe ka kontraktuar “muskujt” e dimensioneve të brendshme të kësaj fushate.

Ndihet në “eterin politik”, se jemi përballë një gare elektorale të fortë të diversifikuar ndoshta edhe të frakturuar elektorale. Partitë e reja në pikëpamje socio-filozofike kanë besim vetjak herë të bazuar e herë intuitive, për mundësinë e ndodhjes së një procesi të “dekonstruksionit” të bindjeve dhe strukturave politike tradicionale dhe mundësisë së shfaqjes së pozicionimeve të reja dyshuese apo paragjykuese elektorale, e cila sipas liderëve të partive të reja, është një tendencë përvijuese që duhet vlerësuar. Kjo është një logjikë elektorale, e cila në pikëpamje të sociologjisë politike është plotësisht e justifikuar dhe brenda të drejtës së këtyre formacioneve të reja, të cilat po lëvizin me intensitet, me synimin për të “dedektuar” ekzistencën e kategorive sociale të “lëkundura”, të pavendosura, sikurse janë natyrshëm ekzistenca e njerëzve të pakënaqur me “gjendjen kalimtare”, pozitën sociale apo mirëqenien e tyre. Kjo është shtresa me përbërje sociale komplekse, heterogjene, që mund të jenë potencialisht votues të tyre. Doemos duke futur në llogaritë edhe “shpresën e fundit” të tablosë së pandryshueshme dikotomike, që përbëhet nga “abstenuesit elektoralë” me status rastësor apo permanent.

Një shtresë jo e vogël, nga pikëpamja demografike e politike, përbëhet nga qytetarë që e ndjejnë veten të zhgënjyer nga “ofertat politike” ekzistuese. Por ka dhe një arsye tjetër që liderët e partive të reja, duke shpresuar për të evidentuar të gjithë faktorët që janë në favor të tyre, që mund dhe duhen shfrytëzuar për “përfitime elektorale”, me shumë bujë teorike janë duke artikuluar fort, madje me agresivitet të shfaqur politik, duke menduar se rezultati i tyre elektoral, është ontologjikisht me ato shkaqe të tjera, që ata i konsiderojnë si tregues sintetik të situatës aktuale politike, e cila sipas tyre, është e lidhur me shfaqjen e kontradiktave të hapura apo të heshtura, me besimin se partitë e mëdha klasike kanë kriza endemike. Strategjia e tyre nuk është e gabuar, kur mendojnë në mënyrë utilitare, me synime të pastra pragmatike, se duhet përdorur çdo mjet për të ngjallur apo ringjallur tërheqjen e njerëzve të pakënaqur, pesimistë, apo që janë skeptikë ndaj figurave politike aktuale. Sipas liderëve të partive të reja, është bindje obsesionale se kjo klasë politike nuk e ka potencialin e duhur për të drejtuar dhe qeverisur vendin. Kjo tendencë shpesh bëhet eksentrike, duke dalë jashtë logjikës politike. Në përpjekje për të zhvilluar diskurs popullor publik, në shumë raste në propagandën e partive të reja shfaqen edhe pozicionime me frazeologji e pikëpamje populiste. Me mendimin se duke vepruar në këtë mënyrë, mund të kemi një “dinamikë shpërthyese” elektorale në favor të tyre.

PO KU QËNDRON BESIMI PËR SUKSES ELEKTORAL I PARTIVE TË REJA?

Në mënyrë të natyrshme tek ekzistenca e njerëzve, që mendojnë se alternimi i partive klasike në pushtet për një kohë të gjatë (PS plus PD dhe aleatët respektivë) nuk ka ndryshuar situatën aq sa duhet dhe pritej për probleme të tilla si papunësia, pasiguria, emigracioni, krimi etj.. Në logjikën e tyre shfaqet besimi real apo utopik, këtë do ta tregojë 11 maji, nëse qytetarët duhet të votojnë këto parti që deklarojnë jo pa eufori se i kanë mundësitë, kapacitetet dhe mjetet e duhura për të sjellë “ndryshimin në tërësi” të politikës shqiptare.

Mbase nga entuziazmi moshor dhe reklamat mediatike, ndihet një ndjenjë euforie e liderëve të partive të reja, që kanë dalë si faktorë politikë dhe aktorë elektoralë për zgjedhjet e 11 majit. Kjo është e natyrshme, brenda logjikës formale politike të konkurrencës elektorale. Është fare evidente që koha për shkak të ndryshimeve të thella socialekonomike, të ndodhur gjithnjë e më pranë bashkimit me “trenin europian”, kërkon nga të gjithë politikanët të rinj apo të “vjetër” qofshin, afishimin e argumentuar të alternativave të reja, koherente me kohën. Më duket se ka një perceptim semplist për thelbin e ndryshimeve politike dhe shfaqjen e dukshme të sindromës socio-politike të njerëzve, që ndjekin me vrull politik dhe frenetizëm elektoral, një tendencë kjo e cila është shfaqje e sëmundjes së vjetër, të koracuar, sidomos nga periudha e regjimit totalitar për udhëheqës të plotfuqishëm e karizmatik.

Një tendencë e shfaqur dukshëm në takimet elektorale të disa partive të reja, të cilat kanë sjellë besimin e dyshimtë të nevojës që kanë njerëzit për “figura politike garantuese”, të liderëve që do bëjnë “mrekulli politike”. Kjo pritmëri që në këto moment është thjesht një pasion aprioristik, është një nga arsyet e masivitetit herë të dukshëm e herë modest. Politikanët e rinj, liderë të këtyre partive të shkolluar mire, kulturalisht të orientuar e politikisht relativisht të formuar, kanë ndërtuar një strategji për të mbajtur kreshendo atraksionin elektoral, këtu, brenda vendit, por edhe në diasporat në vende të ndryshme.

Në përgjithësi ligjërimi politik, përgjithësisht me tone populiste, është pjesë strategjike e synimit të tyre, jo vetëm për të gjetur mënyra origjinale në përmbajtje dhe formë për të shprehur idetë e tyre, por sidomos ata janë të përqendruar në debatin, ballafaqimin dhe akuzat për pozitën dhe opozitën klasike të vendit, duke dashur të realizojnë “zënien ngushtë” të kundërshtarëve të tyre. Në fushën e debatit politik, partitë e reja janë përqendruar në denoncimin e shumë problemeve, mangësive të karakterit teknik apo administrativ, të cilat padyshim kanë brenda tyre edhe aspektet evidente politike dhe morale, sidomos kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, vjedhjes, neglizhencës apo papërgjegjshmërisë. Të rinjtë e politikës, në këtë fushatë po tentojnë të bëjnë jo thjesht fushatë deklarative, por duan të sjellin një tipologji të re në vendosjen e marrëdhënieve të anës teknike me atë politike, e cila sipas tyre është kusht për rindërtimin më të mirë të politikave publike. Ka një përpjekje për të sjellë forma të reja të komunikimit elektoral, sa më të përtypshme nga publiku, duke synuar kapërcimin e formave tradicionale, formave klasike, duke tentuar të krijojnë forma e kuptime të reja bashkëkohore për politikën, perceptimin e saj dhe sidomos për raportet interaktive midis asaj, politikanëve të rinj dhe qytetarëve. Në mënyrë evidente, në përpjekjet për sensibilizuar dhe tërhequr elektoratin, politikanët e rinj duhet të kujtojnë një ligjësi të sociologjisë politike, sipas të cilës hapësira politike në kohë elektorale është fluide, e paqëndrueshme, e vështirë për t’u llogaritur aritmetikisht, apo për ta futur në kallëpet e ngurta të parashikimeve me “makineri llogaritëse elektorale”. Duhen më shumë argumente mbushamendëse dhe piketa të sigurta të “besueshme alternative”.

Nuk besoj se modeli i politikës “mesianike” është rruga e sigurt, për të arritur rezultatet e parashikuara, apo të dëshiruara nga partitë e reja politike. Nëse kritikat bëhen të ekzagjëruara dhe premtimet marrin karakter utopik, nga entuziazmi apo mungesa e përvojës dhe pjekurisë së duhur politike, atëherë ka rrezik të krijohet ideja se kjo rrugë është thjesht shprehje e një lufte e disa intelektualëve për pushtet. Nëse kjo sindromë nuk purifikohet, nuk merr karakter të ekuilibruar elektoral, ka shumë rrezik të thyhet besimi entuziast i njerëzve, madje mund të kthehet në bumerang negativ votash. Partitë e reja duke qenë të vogla, duhet të jenë realiste në pretendimet politike dhe pritshmëritë elektorale, duke qenë të kujdesshme për të shmangur bravurat pa substancë të një populizmi “revolucionar”.

Personalisht i kam ndjekur me kujdes, nga pikëpamja politike dhe ideologjike “ofertat e tyre elektorale”, që realisht nuk janë unike por të diferencuara. Herë me theksin e ligjërimeve social populiste, deri tek orientimet e qarta majtiste. Në kuintesencën e vet, duket qartë se strategjia e partive të reja, në themelin e vet të fushatës elektorale, ka vendosur zëvendësimin e dukshëm të aspekteve tradicionale të debatit politik dhe ideor, duke i dhënë fushatës një dimension më tepër social, me synimin, shpresën dhe besimin se kjo është “pika e fortë” e sensibilizimit elektoral të qytetarëve. Shoqëria shqiptare në këto momente nuk ka nevojë për iluzione mesianike, “gërdufje elektorale” të pamundura që të bëhen realitet. Nuk e di si mendojnë të tjerët, por analiza socio-politike e realitetit tonë sipas mendimit tim, nuk ka nevojë për utopinë, se këto parti kanë mundësi dhe kapacitete për të zhdukur raportet organike midis pasurisë dhe pamjaftueshmërisë.

Nuk besoj se janë të mjaftueshme vetëm tonet puritane, sjelljet moraliste të lidershipit të tyre. Historia botërore, por edhe periudha e tranzicionit tonë, kanë treguar se nuk janë të mjaftueshme tonet moralistike në politikë. Politologët thonë se këto mjete dhe maniera interpretative janë anakronike ose të djallëzuara. Duke e ndjekur ligjërimin politik të liderëve të partive të reja, më duket se më shumë se ka argumente substanciale politike, evidentohen sjellje me “argumente pasionante”. Ca janë të vërteta, ca gjysmë të vërteta, me lidhje kalimtare me realitetin e vërtetë socio-politik që zhvillohet në kontekstet tona socio-politike. Pyetja që lind natyrshëm është: a kanë atraksion politik kaq të fortë partitë e reja, a i kanë bërë mirë llogaritë sondazhistët e tyre të “kartografisë elektorale” të pritmërive? Këtë do ta tregojë 11 maji!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit