Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe qeveria e tij konservatore po përballen me një votë mosbesimi në Parlament. Mocioni i cili pritet që të dorëzohet sot në Parlament pason me protestat masvie në të gjithë Greqinë të premten.
Pas konsultimeve, PASOK, SYRIZA, Nea Aristera (e majta e re) dhe Plefsi Eleftherias (Kursi i Lirisë) nënshkruan një marrëveshje prej 16 faqesh që përshkruan përgjegjësinë, gabimet dhe lëshimet e qeverisë.
Procesi ka filluar që në orën 11:00 me një debat të planifikuar para rendit të ditës për Tempin në Parlament. Pas dorëzimit, Parlamenti do t’i kushtojë tre ditët e ardhshme procedurave të mosbesimit, duke pezulluar të gjitha votimet e tjera.
Mocioni “është një kërkesë publike” dhe shpreh mungesë besimi te qeveria,” tha të martën Nikos Androulakis, kreu i opozitës kryesore PASOK.
Kjo është hera e dytë në një vit që PASOK ka mobilizuar partitë politike kundër Demokracisë së Re në lidhje me Tempin, pavarësisht mungesës së votave për miratimin e mocionit.