Olimpiada XIX Ballkanike Studentore e Matematikës (SEEMOUS 2025) është hapur në Korçë, një ngjarje e rëndësishme që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Ceremonia e hapjes ka mirëpritur 111 studentë nga 27 universitete të 6 shteteve të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turkmenistanin.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj olimpiade dhe falënderoi MASSEE (Shoqata Matematikore e Evropës Juglindore) për besimin që i dha Universitetit “Fan S. Noli” dhe Shoqatës Shqiptare të Matematikës.
“Kjo është një tjetër arritje për Universitetin tonë dhe një mundësi e shkëlqyer për të nxitur një ndërveprimin akoma më aktiv mes universiteteve të vendeve të ndryshme brenda Ballkanit e më gjerë, në vazhdën e përpjekjeve cilësore që rektori dhe i gjithë stafi i këtij universiteti janë duke bërë, për të shëndoshur reputacionin kombëtar e ndërkombëtar të këtij institucioni të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit të Korçës”, shkruan prefekti Jole, në një postim në rrjetet sociale.
Prefekti gjithashtu uroi sukses studentëve dhe falënderoi profesor Artur Adilin për angazhimin e tij në organizimin e këtij aktiviteti.