Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit nga Senati italian të marrëveshjes për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Hallall dhe vicklat, talljet, përqeshjet deri tek sharjet, jo ishte rrenë, ishte lojë, e paç haram, etj. Rëndësi ka që tani mundi dhe sakrifica e një jete në punë matanë detit të shqiptarëve do njihet njësoj si italianët. Kjo ishte një nga dy marrëveshjet më të vështira të pensioneve, sepse bëhet fjalë për gati gjysmë milionë njerëz dhe jam falënderues Melonit, patë cilën kjo punë nuk do të merrte fund dhe mund të merret vite e vite të tjera”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu e konsideroi marrëveshjen me Greqinë si “qershinë mbi tortë” për të mbyllur çështjet e hapura dhe u shpreh i vendosur për të finalizuar të gjitha marrëveshjet e mbetura, përfshirë ligjin e luftës dhe çështjet me pensionet e shqiptarëve në Greqi.
“Vendosmëria ime është të mbyllim të gjitha çështjet e hapura me po atë vizion, më po atë vullnet dhe më po atë ndjenjë respekti që me kryeministrin Mitsotakis kemi ndarë qysh se jemi takuar për herë të parë. Kam besim se mandati ynë i katërt do të jetë edhe mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë. Ashtu sikurse do të jetë edhe mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi “i” i të gjitha pikave të dakordësuara mes nesh. Shqipëria 2030 dhe Greqia do të jenë bashkë në BE”, u shpreh kreu i qeverisë.