12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arbër Çeliku: Falanga politike shqiptare në mbrojtjen e maqedonizimit dhe vlerave të tij

Kryesoret

Shqiptarët në Maqedoni, si njëra ndër bashkësitë më të mëdha etnike të këtij vendi, kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në formësimin e shtetit modern të Maqedonisë së Veriut (këtë në vazhdimësi e pohon me mburrje të madhe madje edhe një lider politik shqiptar).

Por ky rol ka qenë shpesh paradoksal: nga njëra anë, ata kanë qenë falangë mbrojtëse e integritetit territorial dhe stabilitetit politik të vendit; nga ana tjetër, ata kanë kontribuar (qoftë me ose pa vetëdije) në ndërtimin e një identiteti shtetëror që jo rrallëherë i ka anashkaluar dhe denigruar interesat tona kombëtare.
Si mund të kuptohet pra ky dualitet kaq kundërthënës?

Historia na tregon se shqiptarët, me praninë e tyre të lashtë në këto troje, kanë qenë një forcë vendimtare në ruajtjen e ekuilibrave rajonalë. Në vitet ’90, kur Jugosllavia u shpërbë mes konfliktesh të përgjakshme, Maqedonia arriti të shmangte kaosin e plotë, pjesërisht falë qëndrimit gjoja të matur, por në realitet nënshtrues dhe përfitues-personal në kurriz të çështjes sonë komjëtare nga ana e faktorit politik shqiptar të kohës, i cili ishte mbrujtur në shkollën famëkeqe të Kumrovcit.

Në atë kohë, elitat politike shqiptare zgjodhën rrugën e bindjes institucionale, me preteksin që tensionet etnike të mos shpërthenin në një luftë të hapur, duke anashkaluar rolin e tyre periferik dhe aspak në favor të çështjes sonë kombëtare. Ky akt “vetëpërmbajtjeje” mund të shihet si një mbrojtje e hershme e maqedonizimit, pra, e idesë së një shteti funksional me bazë multietnike, por të dominuar nga narrativa maqedonase.

Megjithatë, ky bashkëpunim nuk mbeti pa çmim. Kulmi i këtij paradoksi u arrit në vitin 2001, kur konflikti i armatosur mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave maqedonase nxori në pah pakënaqësitë e thella të shqiptarëve ndaj diskriminimit sistematik. Marrëveshja e Ohrit, që pasoi këtë konflikt, solli një kornizë ligjore për barazi dhe pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve në institucione.

Por, për ironi, zbatimi i saj shpesh u bë vegël për të forcuar shtetin ekzistues, më shumë sesa për të transformuar thelbësisht pozitën e shqiptarëve. Përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, duke u bërë pjesë e qeverive dhe parlamenteve, u shndërruan në shtylla mbështetëse të sistemit, duke ndihmuar në ndërtimin e një Maqedonie që mbeti, në thelb, e qendërzuar rreth identitetit sllavo-maqedonas, kurse e vetmja strategji e politikanëve tanë ishte mbushja e xhepave të vet.

Ky rol dual, mbrojtës dhe sendërtues, reflektohet edhe sot. Gjuha shqipe, me gjithë ato boshllëqe kushtetuese të lëna që nga Marrëveshja e Ohrit, gjen përdorim zyrtar të cunguar me ligj, por përdorimi i saj mbetet i kufizuar në praktikë. Madje, një ish-ministër (fare i parëndësishëm si emër) edhe pardje pohoi gjithë krenari se sa shumë paska bërë ai për ruajtjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, kurse partia e tij që 24 vjet gjuhën shqipe e ka lënë në harresë institucionale.

Përfaqësimi politik yni, në të vërtetë, është rritur, por ndikimi real në vendimmarrje shpesh filtrohet nga interesat e shumicës. Në negociatat për emrin me Greqinë, shqiptarët ishin spektatorë pasivë, duke mos kushtëzuar asnjëherë të vetme për ndryshime kushtetuese në avancimin tonë kombëtar ndërkohë që këtë rol partitë tona politike e glorifikuan si arritje të madhe për stabilitetin rajonal, i cili tani, me ndryshimin e kursit të politikës amerikane, mund të na gjejë krejtësisht të papërgatitur dhe të ketë pasoja të mëdha për ne si popull.

Ajo që është evidente gjatë gjithë rrugëtimit tonë politik pas viteve 90-ta të shekullit të kaluar, është mungesa e një strategjie të qartë kombëtare nga vetë ne shqiptarët. Në vend të një platforme unike që do të shtronte kërkesa të koordinuara, kemi parë veprime të fragmentuara, ku partitë politike ende bien pre e pragmatizmit afatshkurtër. Kjo dhe i ka krijuar ato (dhe të gjithë neve) në pozicionin e një falange që mbron dhe ndërton një shtet, por rrallë e riformëson atë sipas interesave të veta kombëtare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit