Reuters shkruan se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump pësoi një tjetër goditje ligjore në përpjekjet e saj për të ngrirë financimin federal për programet që nuk përputhen me axhendën e republikanëve, pasi një gjykatës i dytë e bllokoi atë nga zbatimi i një ndalese të gjerë për grantet, huatë dhe mbështetjen tjetër financiare.
Gjykatësi i Distriktit të SHBA, John McConnell në Providence, Rhode Island, me kërkesë të prokurorëve të përgjithshëm demokratë nga 22 shtete dhe Distrikti i Kolumbisë, lëshoi një urdhër ndalues, duke bllokuar administratën nga rishpallja ose miratimi i ngrirjes së financimeve, e cila ishte shpallur fillimisht në një memorandum të Zyrës së Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, tashmë të tërhequr.
Vendimi i McConnellit u mbështet në një urdhër të përkohshëm që ai kishte lëshuar më 31 janar dhe pasoi një tjetër vendim nga një gjykatës në Uashington më 25 shkurt, i cili lëshoi një urdhër paraprak për të bllokuar atë që e quajti një ndalesë “të menduar keq” dhe të papritur për deri në 3 trilion dollarë financime federale.
McConnell, i emëruar nga Presidenti Demokrat Barack Obama, tha se administrata Trump kishte “vendosur veten mbi Kongresin amerikan”, shkruan Reuters. “Ngrirja kategorike nga Ekzekutivi e fondeve të aprovuara dhe të angazhuara në mënyrë thelbësore minon rolet kushtetuese të veçanta të secilës degë të qeverisë sonë”, shkroi McConnell.