-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bashkimi Evropian: Serbia me sjelljen e saj po shkel Marrëveshjen e Ohrit

Kryesoret

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë, se Serbia me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u ndërmjetësua nga BE-ja. Në këtë marrëveshje, mes të tjerash, thuhet se “Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Por, në fund të javës, Kosova, me kërkesë të Serbisë, sërish u la jashtë agjendës për në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe këtë e bëri të njohur vetë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç.

“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Bërnabiç, para deputetëve të parlamentit serb.

Serbia, vitin e shkuar, kishte formuar edhe një grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës nëKëshillin e Evropës. Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten (07.03.2025) për mediet në Bruksel se “Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023”.

“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e detyrimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit. Ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, tha një zëdhënës i BE-së.

Marrëveshja e Ohrit ligjërisht e detyrueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë

Marrëveshja e Ohrit nuk është nënshkruar nga palët, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç refuzoi ta nënshkruante, por BE-ja ngul këmbë se marrëveshja, megjithatë, është ligjërisht e detyrueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe duhet të zbatohet në tërësi.

Në fillim të vitit 2024, Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ndonëse kishte shpresa për një shumicë votash, por në fund u kushtëzua për faktin që qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky ishte edhe kushti kryesor për Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pranuar një letër nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, të cilët shprehnin mbështetje për propozimin e draftit të BE-së për Asociacionin dhe jo vetëm për zotimet e Prishtinës, pa hapa konkretë.

“Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një ‘propozim xhentëlmenësh’. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale; Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhej në letrën e tre udhëheqësve evropianë.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të refuzojë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim propozimin e BE-së për Asociacionin, duke thënë se ai është një draft evropian dhe jo i qeverisë së Kosovës. Kurti vazhdon të këmbëngulë që Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 fillimisht duhet të nënshkruhet nga Serbia dhe Kosova si tërësi, dhe pastaj të fillohet me zbatimin e pikave të saj.

Këshilli i Evropës, ku Kosova po synon të anëtarësohet, është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit./DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit