Ndikimet e fshehura të stresit dhe punës sedentare janë bërë një shqetësim i madh për shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve në korporata dhe biznese. A është koha të flasim për sëmundje profesionale të reja?
Kur flasim për suksesin në biznes, zakonisht imagjinojmë orë të gjata pune, përkushtim të palodhur dhe një ambicie të pashuar.
Megjithatë, rrallëherë flitet për anën e errët të kësaj përpjekjeje: ndikimin e padukshëm, por të thellë, që ka në shëndetin fizik dhe mendor të individëve.
Sëmundjet profesionale nuk prekin vetëm ata që punojnë në industri të rrezikshme si ndërtimi apo minierat, por edhe punonjësit e korporatave, drejtuesit e bizneseve dhe sipërmarrësit.
Nga stresi kronik te problemet muskulore dhe shqetësimet e shikimit, bota e biznesit fsheh rreziqe të shumta, që nëse nuk menaxhohen siç duhet, mund të shkatërrojnë jo vetëm karrierën, por edhe cilësinë e jetës.
Në një studim të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rezultoi se mbi 60% e të punësuarve raportojnë nivele të larta stresi në punë, një faktor kyç që ndikon në shfaqjen e depresionit, ankthit dhe sindromës së djegies profesionale (burnout).
Kjo nuk është thjesht një çështje individuale, por një problem që prek edhe bizneset: punonjësit e rraskapitur janë më pak produktivë, më pak inovativë dhe kanë më shumë gjasa të largohen nga puna.
Sipas një raporti të Gallup-it, kompanitë që nuk i kushtojnë vëmendje mirëqenies së punonjësve humbasin miliarda dollarë çdo vit për shkak të mungesave në punë dhe uljes së rendimentit.
Por nuk është vetëm stresi ai që dëmton profesionistët. Punonjësit që kalojnë orë të tëra ulur përballë kompjuterave përballen me dhimbje kronike shpine, probleme të qafës dhe çrregullime muskulore.
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Shëndetit në Punë, rreth 75% e atyre që punojnë në zyrë kanë pasur dhimbje të paktën një herë gjatë vitit të fundit. Po ashtu, përdorimi i vazhdueshëm i pajisjeve dixhitale ka sjellë rritje të ndjeshme të problemeve në shikim.(lexo KËTU për më shumë)