Barcelona do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Benficas, në fazën e 1/8-ve në Ligën e Kampioneve. Pavarësisht fitores minimale në Portugali, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick tha se asnjë nga lojtarët nuk e mendon të mbyllur kualifikimin.
Sipas tij, katalanasit duan të fitojnë në këtë përballje, për të nderuar mjekun e klubit të ndarë nga jeta pak ditë më parë, Carles Minarro.
“Nuk është vendosur ende asgjë. Asnjë nga ne nuk mendon se është mbyllur kualifikimi. Lojtarët janë ende shumë të trishtuar për ndarjen nga jeta të mjekut të skuadrës.
Ishte një person i mrekullueshëm dhe ka bërë një punë të shkëlqyer. Është humbje e madhe për ne. Kjo është jeta. Tani duhet të fitojmë dhe ta bëjmë për të nderuar Minarron”, u shpreh Flick.
Ndeshja Barcelona-Benfica, do të luhet të Martën, duke nisur nga ora 18:45.