-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: A mund të joshë kënd në Shkodër figura e Jenisherit, apo e Gjuzit në Tiranë?

Kryesoret

Më në fund, opozita e ndërtoi trenin e saj elektoral, ku bëjnë pjesë më shumë se 24 forca politike, shumë nga të cilat janë shpirtra të vdekur. Asgjë e habitshme, gjithë secili e formësonvetë formacionin me të cilin mendon se mund të jetë fitues, edhe kur në të bëjnë pjesë idiotë të dobishëm.

Nëse nga kjo strukturë do të hiqnin vetëm vagonët e parë, tre a katër prej tyre, pjesa tjetër, ajo që mbetet në fund, nuk do të mund të mbledhë asnjë kamion rrangallë me votues, por, edhe kjo, është gjë e brendshme e atij që formon skuadrën e tij. Veçse janë kaq shumë dhe kaq të ngatërruar me njëri tjetrin, sa që është e mundur që, në vend të verë vetulla, mund të nxjerrë sytë.

Ata që janë thirrur për të bërë Shqipërinë madhështore, ashtu si janë dhe çfarë bartin, nuk mund të përfaqësojnë as fisin e tyre. Nganjëherë të kundërtat janë aq të thepisura, sa që duket se njëra palë do të bjerë në humnerë, që të ngrihet tjetra. Çuditërisht, mjaft prej atyre që sot thërrasin për të madhërishmen, janë gati ta bëjnë copë e çikë dhe ta përmbysin për një karrige, për pak deputet – lek, dhe, as nuk janë të djathtë dhe as e dinë se çfarë është e djathta.

Është thirrur Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule, i pari kërkon të drejtat e shqiptarëve në vendlindjen e tyre Çamëri, tjetri, që prej e kanë futur në politikë, kërkon atë që në mendje e ka si VorioEpiri. Idrizi duket se kërkon të shpalosë flamurin kuq e zi, tjetri ka të tjera ngjyra. I pari do u thotë bashkë vendasve të tij të votojnë për atë koalicion ku është edhe i kundërti. I dyti, duke i vënë bërrylin gjithçka është shqiptare, synon të përdhosë edhe një herë votat e të dëbuarve nga trojet e tyre. Shpëtim Idrizi mendohet se mund të ketë simbol Marko Boçarin, tjetri FrediBelerin. I pari mendon të rikthejë të drejtat, i dyti i bën llogaritë në dhrahmi, megjithëse jep e merr me euro.

Me përjashtim të Fatmir Mehdiut, nga Partia Republikane, gjithë të tjerët ia kanë kthyer shpinën opozitës, sa herë që i ka “sirena e pushtetit”. Mund të ia kthejnë përsëri një ditë të ardhshme. Joshja nga pushteti është përcaktimi i tyre politik.

Nëse Mediu ka mbajtur gjithnjë të njëjtën linjë, mirë apo keq, në qeverisje, ku nganjëherë merr edhe mëkatet e të tjerëve, apo në opozitë, shtesa tjetër është kaq laramane në ide dhe pa asnjë vizion, sa që nesër, një ditë të ardhshme, nëse Rama do të ketë mandatin e katërt, joshja prej pushtetit të tij do të jetë kaq ndjellëse, sa që asnjëri prej tyre vështirë se do i rezistojë.

Të gjithë ata që mendohet se janë “të rëndësishëm” janë të gatshëm të shiten. Problemi i vetëm i tre është se askush nuk i len, sepse shumë prej tyre nuk ia vlejnë.

Partia e Lirisë do të ketë, sipas zërave të dala nga selia e madhe opozitare, katër vende të sigurta. Është ndoshta lëshimi më i madh dhe shpërblimi më i pa zakontë që shefi i opozitës i bën mikut të tij të sotëm dhe kundërshtarit armik të djeshëm.

Ilir Meta është Presidenti i partisë së Lirisë që tashmë thuajse nuk ekziston më. Ka mbetur vetëm shija e keqe nga e djeshmja si LSI. Aty asgjë nuk ka ndërruar dhe asgjë nuk është mësuar. Idetë janë të zbrazte, mediokriteti është shumë planesh, një njeri që nuk mban dot as të afërmit e tij, e ka të vështirë të mbajë një parti politike, që, duke u shuar, kërkon frymë. Aq me tepër që, prej disa muajve ai vetë është i arrestuar. Ndoshta kjo është mundësia e tij e vetme për të mbyllur procesin përmes procedurës, si ka ndodhur disa herë në politikën tonë. Vështirë të ndodhë kështu, por sprova që po bëhet mund të krijojë precedentin e rrezikshëm të mbivendosjes së politikës mbi ligjin, çka ka ndodhur shpesh herë, por tani përmes një precedenti të lartë politik.

Meta ishte njeriu që e rrëzoi opozitën nga pushteti. Jo vetëm pas darkës së ngjalave, por që në çastin kur u bë e njohur historia me bllok në duar dhe e 700 mijë eurove. Megjithëse ngjarja u mbyll , përmes një darke tjetër, ndoshta darka më e çuditshme në politikën shqiptare, Meta e drodhi shpejt, shkoi në shtratin e Ramës dhe polli qeverinë e vitit 2013. Kur mendoi se doli jashtë loje, dhe si për habi, duke e detyruar të jetë President, e drodhi përsëri, mirëpo kësaj here kishte qenë i vonuar. Nëse Ramanesër, në pushtet, mund të bëjë një amnisti për Ilir Metën dhe t’ia falë mëkatet, askush nuk është i bindur se ai do të vazhdojë të qëndrojë stoik në krah të opozitës. Sa herë që ai ka bubulluar, është pritur një ndryshim kursi. Xhixho, një emër tjetër i njohur nga koha e LSI-së , edhe ajo, si vetë kreu i partisë, si vetë shefi i opozitës, ka procese të hapura ligjore në familjen e saj. Nëse Meta kthen pllakën, të gjithë i shkojnë pas.

Emrat më të njohur të karvanit të opozitës, pjesa e dytë e saj, kanë qenë në një formë a tjetër, të lidhur me shumicën e sotme qeverisëse.

Që nga Nard Ndoka, që askush nuk e di përse është ende drejtues i force politike që nuk ekziston, e deri te të famshmit e trenit elektoral, si Jenisheri. Që çuditërisht më tingëllon si jeniçeri.

Në qeverinë e së majtës ka qenë Dule, pas tij Idrizi, që dikur ishte edhe në qarqet e larta drejtuese të Partisë Socialiste. Prej aty ka burimin pasuria e tij, e cila, thonë, se është marramendëse. Afër tij në qarqet e larta të së majtës ishte Agron Duka, që si ministër i bujqësisë ishte i aftë, e tani, pasi mori një leje ndërtimi nga e majta, do të jetë edhe ndërtues i njohur.

Të gjitha forcat politike të rreshtuara pas opozitës, shumë prej të cilave të panjohura, e jam i bindur se edhe vetë shefi i opozitës nuk e ka ditur se ekzistojnë, nuk kanë asgjë të përbashkët me të djathtën, e , për më tepër, aq arkaik është shtati i tyre politik, sa ndryshku duket së largu.

Asnjë forcë e re politike nuk iu ngjit opozitës së madhe. As nga më të rejat fare, e as ato që, si të reja, po plaken.

Tetë apo nëntë vende të sigurta do të ketë ajo pjesë e opozitës që nuk sjell vota, por ëndërron të jetë diku, në një pjesë të pushtetit.

Sidoqoftë , kjo është llogaria që bëjnë vetë të zotët e shtëpisë. Nuk e di pse jam i bindur se, do të mund të ndodhë e kundërta e asaj që presin.

Edhe në votimet e vitit 2021 ajo që i prishi më së shumti punë opozitës, krahas bandave që ngriti Gazmend Bardhi, të cilat, të armatosura , dukeshin si njësi të murrme, ishte pikërisht shfaqja në fushatë e një figure tejet të pa dashur, si ishte ajo e Ilir Metës. Nga prania e tij në fushatë, sipas studimeve të institucioneve serioze opozita humbi të paktën katër deputetë, veçanërisht në jugun e Shqipërisë.

A do të përsëritet kjo edhe në 11 majin e këtij viti? A mund të joshë kënd në Shkodër figura e Jenisherit, apo e Gjuzit në Tiranë? E Ilir Metës në Shkodër? E Dules në Vlorë?

Duhet të jesh naiv të besosh këtë!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit