Presidenti Donald Trump nuk foli me Vladimir Putin, sipas një sqarimi të Shtëpisë së Bardhë, ndryshe nga sa la të kuptohet presidenti amerikan në postimin e tij.
Shtëpia e Bardhë sqaroi se i dërguari i SHBA Steve Witkoff ishte ai që foli me presidentin rus Vladimir Putin dhe jo presidenti i SHBA Donald Trump.
Konfuzioni u shkaktua nga postimi i Trump në mediat sociale më herët, në të cilin ai vlerësoi bisedimet e tij me liderin rus dhe tha se ai “i kërkoi Presidentit Putin”, duke e bërë të tingëllojë sikur të kishte folur personalisht me Putinin.
Një pjesë tjetër e postimit të tij, se “mijëra trupa ukrainase janë të rrethuar plotësisht nga ushtria ruse” në rajonin e Kurskut, nxiti një reagim të fortë nga burime ukrainase dhe analistë ushtarakë, të cilët e cilësuan atë si të pasaktë.