Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka publikuar listën me 26 lojtarët e ftuar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 kundër Anglisë dhe Andorrës. Në këtë listë, vihet re mungesa e Anis Mehmetit, një nga lojtarët më në formë të Shqipërisë, i cili ka shënuar 12 gola këtë sezon dhe është një emër kyç te Bristol City në Championship.
Përveç Mehmetit, mungon edhe Keidi Bare, i cili nuk ka arritur të rikuperohet nga dëmtimi i lehtë që ka pasur në pulpë. Po ashtu, për herë të parë, Silvinjo ka lënë jashtë Mario Mitajn, i cili ka pasur shqetësime fizike gjatë ndeshjeve me Al-Ittihad. Edhe Elseid Hysaj, Mirlind Daku dhe Taulant Seferi janë të dëmtuar dhe nuk janë përfshirë në listë.
Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë ndaj Anglisë më 21 mars në “Wembley”, ndërsa ndeshjen e dytë do ta luajë ndaj Andorrës më 24 mars në Tiranë.