Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në rrjetin e tij social ka uruar Hirësinë e Tij Joan Pelushi, me rastin e zgjedhjes si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Kurti shprehet se Kryepeshkopi Joan është një intelektual, me kontribute jo vetëm klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare. Ai i uron një punë të mbarë në këtë pozitë të rëndësishme për ortodoksët, por edhe për mbarë shoqërinë e kombin.
“Gëzohemi bashkë me besimtarët ortodoksë shqiptarë për zgjedhjen e Joanit, kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas kryepeshkopit tashmë të ndjerë Anastasit (Janullatos). Fortlumturia e Tij, Joani (Pelushi) ka qenë mitropolit i Korçës për 27 vjet, një teolog e intelektual, me kontribute jo vetëm klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare. Dëshirojmë që ai të ketë sukses në detyrat e reja, në mbrothësimin e kishës, përparimin e drejtësisë e të paqes mes kombeve dhe bashkëpunimit mes feve. I urojmë bashkëkombasit tonë, Kryepeshkopit Joan një punë të mbarë në këtë pozitë të rëndësishme për ortodoksët, por edhe për mbarë shoqërinë e kombin tonë”, shkruan Kurti në facebook.