Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, njoftoi se pas shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Koçan, 118 të plagosur janë shtruar në spitale të ndryshme të vendit.
Ai theksoi se të gjitha autoritetet shëndetësore janë mobilizuar dhe po bëjnë gjithçka për të shpëtuar sa më shumë jetë të mundshme. Aktualisht, 18 pacientë janë në gjendje kritike, dhe ata po marrin trajtim intensiv nëpër spitale të ndryshme, përfshirë Kirurgjinë Pediatrike dhe KARIL.
Shpërndarja e pacientëve të shtruar sipas raportimeve nga mediat maqedonase:
• Kirurgjia Pediatrike – 4 pacientë
• Klinika e Kirurgjisë Plastike – 11 pacientë
• Spitali Klinik i Shtipit – 45 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm i Koçanit – 30 pacientë
• Spitali “Shën Naumi i Ohrit” – 29 pacientë
• Spitali “8 Shtatori” – 17 pacientë
• KARIL – 16 pacientë
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar, 18 janë në gjendje kritike:
• Kirurgjia Pediatrike – 3 pacientë
• KARIL – 7 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm i Qytetit – 5 pacientë
• Spitali i Vjetër i Qytetit – 3 pacientë
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq është duke bërë përpiluar listën për të përcaktuar identitetet e të vdekurve.