Në një mbledhje të Sinodit të Shenjtë, u zgjodh Hirësia e tij, Joan Pelushi, si kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas dorëheqjes së Kryepeshkopit Anastas në janar të këtij viti, Sinodi ka bërë këtë zgjedhje historike.
Imzot Joan Pelushi ka mbajtur një fjalim ku premtoi se do të respektojë traditën e shenjtë dhe do të mbrojë të drejtat e Kishës, duke u lutur që Perëndia ta udhëheqë dhe ndriçojë në këtë mision të rëndësishëm.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e kishës, i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësi, i lutem Krisht themeluesit të kishës të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim. Lutem që Perëndia ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë”, tha Imzot Joani.
Ky është një moment i rëndësishëm për Kishën Ortodokse të Shqipërisë, pasi përmbush testamentin e Kryepeshkopit Anastas, i cili dëshironte që një klerik shqiptar të pasonte këtë detyrë të lartë.