Bashkimi Evropian ka konfirmuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga grupi ndërkombëtar që monitoron krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë. Ky grup, i cili është krijuar për të hetuar përgjegjësit për pushtimin e Ukrainës, ka përfshirë disa shtete dhe organizata ndërkombëtare.
Vendimi për tërheqjen e SHBA-ve është bërë publik përmes një emaili drejtuar Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësi Penale (Eurojust).
Tërheqja e SHBA-ve nënvizon një ndryshim të politikës së jashtme të administratës amerikane, e cila tani po synon të rivendosë lidhjet me Moskën dhe të shtyjë për një marrëveshje paqeje më të shpejtë në Ukrainë.
Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit kundër Ukrainës (ICPA) është një strukturë gjyqësore me bazë në Hagë që mbështet hetimet kombëtare për krimet e agresionit të kryera nga udhëheqësit rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin.