Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve që po kryhen nga grupi Houthi, duke kërcënuar Iranin për mbështetje ndaj këtyre sulmeve. Trump ka deklaruar se çdo sulm tjetër i kryer nga Houthit do të shihet si një sulm i udhëhequr nga Irani dhe do të ketë pasoja të rënda.
Në një postim të tij, Trump ka theksuar se Houthit, të cilët janë të urryer nga populli jemenas, janë mbështetur dhe furnizuar nga Irani me armë dhe pajisje ushtarake të sofistikuara.
“Askush të mos mashtrohet! Qindra sulmet që po kryhen nga Houthit, këta banditë dhe kriminelë të errët me bazë në Jemen, të cilët janë të urryer nga populli jemenas, vijnë dhe janë krijuar nga Irani. Çdo sulm i mëtejshëm ose hakmarrje nga ‘Houthit’ do të përballet me forcë të madhe, dhe nuk ka asnjë garanci që kjo forcë do të ndalet aty.
Irani është paraqitur si ‘viktima e pafajshme’ e terroristëve rebelë, mbi të cilët ata kanë humbur kontrollin, por në të vërtetë nuk e kanë humbur atë. Ata diktojnë çdo lëvizje të tyre, u japin armët, i furnizojnë me para dhe pajisje ushtarake shumë të sofistikuara, madje edhe me atë që quhet ‘inteligjencë.’
Çdo e shtënë e kryer nga Houthit do të shihet, nga ky moment e tutje, si një e shtënë e ardhur nga armët dhe udhëheqja e Iranit. Dhe Irani do të mbahet përgjegjës dhe do të vuajë pasojat, të cilat do të jenë të rënda.”