Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes për aleancën ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si një hap të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon.
Kurti theksoi se kjo marrëveshje përfshin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, operacione ushtarake të përbashkëta dhe trajnime.
“Urime të gjithëve! Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit u realizua në Tiranë me përfshirjen e ministrave të Mbrojtjes të të tre vendeve.