Tragjedia në Koçan të Maqedonisë ku humbën jetën 59 persona në një disko ka ngritur alarmin edhe në Tiranë. Pas tragjedisë janë shtruar kontrollet në klubet e natës në Tiranë për masat e mbrojtjes nga zjarri. Lokalet e natës duhet të pajisen me certifikatën e sigurisë nga zjarri. Por jo të gjitha bizneset e bëjnë një kërkesë të tillë para nisjes së aktivitetit, ndaj për këtë arsye kryhen inspektime të herëpashershme.
“Ne që atë natë jemi vënë në lëvizje dhe kemi qenë me grupin e inspektimit në lokalet e natës ku kemi parë masat e mbrojtës nga zjarri dhe u kemi lënë detyra përkatëse dhe do të përmirësohen. Në fundjavë kemi programuar inspektim për lokalet që punojnë vetëm në fundjavë dhe që kanë përmasa më të mëdha. Ditën e enjte, të premte do të jemi në inspektim edhe tek këto biznese.
Që në fillimin e ndërtimit të objektit materialet që përdoren nuk duhet të jenë materiale që shërbejnë si burim zjarri, nuk duhet të jenë materiale që përcjellin zjarrin. E rëndësishme është që në këto objekte të ketë më shumë se një dalje”, shprehet Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i shërbimit zjarrfikës Tiranë.