Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, thotë se Moska nuk po kërkon të bëjë lëshime në bisedimet për ndalimin e luftimeve gjatë luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, duke reaguar ndaj bisedës telefonike mes Vladimir Putin me Donald Trump dje, dhe dy deklaratave të publikuara më pas, Kallas thotë se është e qartë se “Rusia nuk dëshiron vërtet të bëjë asnjë lloj lëshimi”.
Ajo u thotë gazetarëve se Rusia në vend të kësaj shpreson që Ukraina të bëhet e shkujdesur, në mënyrë që ta ketë më të thjeshtë më pas që ta pushtojë.
Ditën e djeshme Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe homologu rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike, ku ranë dakord për disa çështje, mes të cilave edhe ndalja e sulmeve mbi infrastrukturën energjitike të Ukrainës.
Bisedimet do të vijojnë të dielën në Arabinë Saudite, teksa palët ende nuk kanë rënë dakord për një armëpushim 30 ditor, që ishte pjesë e planit të SHBA-ve.