Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur dënimet për dy të pandehurit, Jovan Memaj dhe Bernard Tahiraj, të akuzuar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grupe kriminale të strukturuara.
Jovan Memaj është shpallur fajtor për disa vepra penale, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike, trafikimin e narkotikëve, dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal. Ai është dënuar me 8 vite burg pas uljes së dënimit nga 12 vjet, dhe do të vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.
Bernard Tahiraj është shpallur fajtor për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe është dënuar me 2 vite burg, pas uljes së dënimit nga 3 vjet. Ai gjithashtu do të vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.
Gjykata ka kërkuar që të dy të pandehurit të mbulojnë shpenzimet procedurale të hetimit dhe gjyqësorit. Të dy personat kanë mundësi të apelojnë këtë vendim brenda 15 ditësh.