Ish deputeti demokrat Ervin Salianji i cili ndodhet në burg ka reaguar me anë të një postimi në rrjete sociale në lidhje me listën e Partisë Socialiste.
Salianji shprehet se lista e Ramës është e përfshirë nga sindikata e krimit deri tek shoqatat e delikuentëve. Ai nënvizon që me këtë listë Rama i jep një tjetër goditje rregullave të lojës, meritës, demokracisë dhe parlamentarizmit.
Salianji shprehet që edhe shqiptarët e kanë kuptuar këtë dhe Rama me 11 maj do të humbë, dhe sipas tij ky është rasti tip kur humbësi i humb të gjitha.
“Nuk ka dyshim se listat janë ndoshta një moment argëtimi për autokratucin.
Ai degdis pa lajmëruar njerëz që kanë kontribute dhe janë përpjekur për atë parti, dhe nxjerr në krye kë të dëshirojë. Eshtë një nga trillet e tij për të demonstruar pushtetin absolut dhe tiraninë. Nuk ka më një Parti Socialiste, në fakt. Por një amalgamë si eksperimenti në atelienë private.
Këtë e dinë të gjithë tanimë. Truke të tilla nuk hyjnë më në punë. Por dhe ky buzëkuqi për të dielen e 11 majit, tenton gjithashtu të fshehë përpjekjet e errëta dhe të nëndheshme që ai sërish po bën e do të bëjë për të kapur, manipuluar, shantazhuar e blerë votën.
Sindikata e krimit dhe e bandave do të miklohet sërish. Administrata është nën terror. Pasanikët e tenderave të pisët me qese me euro vijnë vërdallë.
Po shqiptarët jam i bindur se e kanë kuptuar mirë që asnjë favor i shpejtë në këmbim të dhënies pushtet sërish për Edi Ramën, nuk ja vlen me dhimbjet e pasojat e rënda që sjell qeverisja e keqe. Kësaj të vërtete nuk ka çfarë i bën më autokratuci. Ai do të humbë me 11 Maj. Dhe është rasti tipik, kur humbësi, i humb të gjitha. Imunitetin, pushtetin, lavdinë, venerimin. Do të shohë se si do të bëhen të gjitha pluhur në një ditë. Ai më shumë se askush tjetër ka punuar për këtë fund.”, shkruan Salianji.