Pas tragjedisë në Koçan ku e gjithë Maqedonia u trondit e rajoni e më gjerë, derisa jemi në ditë zie në qytetin e Kumanovës ka ndodhur një tragjedi tjetër. Mbase, bëhet fjalë vetëm për një viktimë nuk nënkupton se nuk duhet të flitet apo tragjedia është e parëndësishme. Po flasim për jetë njerëzish, nëse kështu humbin njerëzit po humbet edhe kuptimi i të jetuarit në këtë vend ku je i rrezikuar në çdo moment.
Babai i Vedatit: Për dy minuta ma mbytën djalin –
“Për dy minuta ma kanë marr djalin, ai e ka hetuar menjëherë, se ka pasur dhimbje e ka ndal vetë, por deri sa e qova unë ti jap pak ujë aty te çezma ta freskoj, djali më shkoj.”
Babai i të ndjerit Vedat Ademi rrëfen për TV21 tmerrin që kanë përjetuar në Spitalin e Kumanovës. Amet Ademi thotë se nga terapia që i kanë dhënë, djali ka pasur reaksion të fortë alergjik dhe ka ndërruar jetë.
Ata akoma pa u bërë 24 orë kthehen te spitali duke treguar se një gabim mjekësor i mbyti djalin në lule të rinisë. Ai tha se e çoi djalin në këmbë të veta për ta shëruar, ndërsa nga spitali e nxorën në arkivol.
Mesditë e së hënës ndodhi ajo që nuk duhej të ndodh tha drejtori Stefan Trajanovski. Sipas tij askush nuk do t’i ikë përgjegjësisë, por fillimisht pritet raporti i autopsisë nga Instituti i mjekësisë ligjore. Ndonëse në librezën e shëndetësisë ka shkruar se 32 vjeçi është alergjik nga analgetikët, terapia intravenoze me infuzion i është dhënë pikërisht me këtë substancë analgini që dyshohet se i solli edhe vdekjen klinike.
Familjarët pretendojnë se spitali ka dashur ta fsheh rastin duke e thirrur menjëherë shërbimin mortor, për ta dërguar në murg. Por, me insistim të prindërve rasti është denoncuar edhe në polici.
“Me datë 17.03.2025 në ora 11.35 në Stacionin Policor të Kumanovës është marrë njoftim nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës se në gjendje të rënduar shëndetësore në spital është sjellë V.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dorëzuar për autopsi, ndërsa nga zyrtarët policorë është bërë kontrolli dhe intervistimi i të gjithë personelit mjekësor të pranishëm. Rasti është duke u zbardhur.”
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë formuar komision të posaçëm, të cilët do të iniciojnë një kontroll të jashtëzakonshme nga Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor për të zbuluar lëshimet e mundshme nga personeli mjekësor, raport i cili do ti dorëzohet prokurorisë për hetim të mëtutjeshëm të rastit. Ndryshe varrimi i të ndjerit u bë dje në qytetin e Kumanovës!
Vedati nën dhe hetimet vazhdojnë!
Pavarësisht përfundimit apo epilogut të hetimeve i ndjeri nuk kthehet më. Edhe sa persona apo viktima të tjera duhet të largohen nga kjo për tu vendosur mbarë e mirë sistemi i funksionimit brenda këtij vendi? Spitalet janë vende ku qytetarët kërkojnë shpëtim e tragjedia ndodhë atëherë kur këto vende shndërrohen në tmerr të pacientëve, në vende ku hynë duke ecur e të nxjerrin në arkivol.
Një situatë e tillë ka qenë evidente gjatë pandemisë ku pacientët që hynin në spitale nuk dilnin të gjallë, një pjesë dërrmuese. Prandaj, edhe ky realitet zbutej me faktin se po bëhet propagandë mediatike kinse e vërteta është ndryshe. Por, jo në fakt kjo ishte e vërteta që numër i madh i pacientëve që hynin në ato dyer si pasojë e pakujdesisë mjekësore e shërbimeve jo cilësore nuk dilnin më të gjallë.
Shëndeti është brenga jonë e përditshme, mbase nuk i atakon vetëm të moshuarit pasi kohëve të fundit probleme të shumta shëndetësore po shfaqen edhe tek të rinjtë. Pra, nga lindja e deri në vdekje kujdesi shëndetësor na ndjek pas me ose pa dashje. Meqë, shëndeti është pjesë e pandashme e jona ka rëndësi dhe peshë të veçantë për secilin prej nesh. Përgjegjësia institucionale duhet të jetë në nivelin e duhur për të ofruar shërbime shëndetësore më produktive. Me fjalë të tjera nevojitet të rritet besimi në institucionet e shëndetësisë./Marrë nga faqja Zhurnal.mk