Prokuroria e Koçanit në Maqedoninë e Veriut ka nisur hetime për 34 persona, përfshirë shtatë policë dhe tre persona juridik, lidhur me zjarrin tragjik që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, përfshirë 6 të mitur.
Hetimet kanë të bëjnë me shkelje të rregullave të sigurisë që datojnë nga viti 2012, kur kjo diskotekë ka filluar të funksionojë. Prokuroria dyshon se ata kanë lejuar mbipopullimin dhe mosrespektimin e kushteve të sigurisë, përfshirë përdorimin e mjeteve piroteknike pa leje, të cilat shkaktuan zjarrin që përhapi flakët në të gjithë objektin.
Këtë e ka bërë të ditur edhe prokurori publik, Ljupço Kocevski, i cili tha se për tërë periudhën komuna ka pranuar pagesa në bazë të lejes së diskotekës, i regjistruar si një objekt hoteliere.
Sipas hetimeve, disa nga të dyshuarit kanë lejuar rreth 650 persona, përfshirë 31 fëmijë, të hyjnë në diskotekë, edhe pse kjo kishte shkelur rregullat e ligjit për mbajtjen e ngjarjeve publike.
“Njëri nga të dyshuarit ka shitur bileta pa marrë parasysh numrin dhe moshën e të ftuarve të lejuar të marrin pjesë, në kundërshtim me Ligjin për Veprimtaritë Mikpritëse, duke lejuar hyrjen dhe pjesëmarrjen e të miturve në festë.
Nuk kanë penguar që fishekzjarrët piroteknikë që janë përdorur në shfaqje të futen në diskotekë edhe pse nuk kanë pasur leje të lëshuar nga organet kompetente për përdorimin e mjeteve piroteknike dhe as kushtet hapësinore nuk kanë lejuar përdorimin e mjeteve të tilla piroteknike”, tha Kocevski.
Në mesin e të dyshuarve janë edhe figura të larta, përfshirë disa ish-drejtorë të Inspektoratit të Tregut dhe inspektorë, të cilët janë akuzuar për mosrespektimin e detyrave të tyre zyrtare për të mbikëqyrur dhe inspektuar licencimin e diskotekës.