Dy persona kanë mbetur të vdekur sot në Komunën e Vushtrrisë në Kosovë.
Lajmin për mediat në Prishtinë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni. Sipas tij, informacionet e para janë që një person ka vrarë një grua e më pas edhe veten. Dy viktimat nuk kanë lidhje familjare.
“Konfirmojmë që janë dy viktima nga të shtënat me armë zjarri. Sipas informacioneve të para një person ka privuar nga jeta një grua e më pas edhe veten.
Prokurori dhe policia janë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Preteni.
Një ditë më parë një vrasje e rëndë tronditi qytetin e Vushtrrisë ku mbeti i vrarë një 19 vjeçar.