15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Dy ditët e Hashim Thaçit në Kosovë

Kryesoret

Në harkun e shkurtër të kohës, ish presidenti i Kosovës dhe burrështetasi më i spikatur i saj në periudhën moderne të dekadave të fundit, Thaçi, ishte në vendlindje në dy ditë të ndryshme. Në ditën e parë për të vizituar babanë e tij, të sëmurë rënde, leja për të cilën ishte refuzuar tri herë, me arsyen absurde se, sëmundja e Haxhi Thaçit nuk ishte edhe aq serioze dhe leja e kërkuar, më tepër se gjithçka tjetër ishte një shkak e kërkuar, se sa real. Pak ditë më pas, ai do të ishte në vend banesën e fundit të babait të tij, i cili, në më pak se nj javë nga takimi i fundit me të birin, vdiq. Si të ishte tallur me vdekjen duke pritur të birin, dhe, kur e kishte mundur, kishte mbyllur sytë. I fundit që i jepte lamtumirën, fillimisht nga burgu ku qëndron prej katër viteve e gjysmë dhe pastaj në varrezat e fshatit, do të ishte i biri. Historia ka plot nga këto raste, kur ai që ka bërë të mundur ngritjen e një krijese ndëshkuese, bie viktimë e saj, ndoshta thjeshtë për shkakun se ata që e kanë arrestuar ende nuk e dinë përse e kanë bërë këtë, dhe ata, që prisnin me dëshirë arrestimin e tij, si shkak të lëvizjeve politike, ende nuk e kanë marrë përgjigjen e tyre.

Në dy ditë në Kosovë, në një gjendje thellësisht absurde, i arrestuar, i shoqëruar me një togë oficerësh ndërkombëtarë, civilë dhe të shfaqur me ndjenjën e humbur të humanizmit, ai, Hashim Thaçi, përsëri, e tundi politikën e Kosovës dhe dha mesazhin e qartë se, mungesa e tij mund të jetë fatale, po aq sa ishte e rëndësishme në kohën e qeverisjes së tij dhe të presidencës që u ndërpre në njërin nga çastet më të vendimtare të jetës së tij politike.

Hashim Thaçi, duan apo jo kundërshtarët e tij politikë, të djeshëm dhe të sotëm, skutave apo në qeveri, ai është pjesës e rëndësishme e historisë së Kosovë, që i ka bërë vendin në mënyrën më normale të mundshme dhe më jetësore.

I dënuar në vitin 1996 nga regjimi serb, në të njohurin gjyq kundër pjesëtarëve të UÇK-së në zonën e Drenicës, në të njëjtën akuzë si edhe Adem Jashari, ai , ish prorektori i Universitetit të Prishtinës , për të cilin rektori i nderuar, profesor Ejup Statovci , gjatë viteve të luftës , më thoshte se, që në çastin e takimit të parë me të, pasi kishin biseduar gatë, kishte formuar bindjen se një ditë ky djalë do të ishte shefi i ardhshëm i qeverisë së Kosovës, i një vend i lirë dhe sovran, Thaçi është tani në burgosjen e dytë. Nën një vëzhgim të jashtëzakonshëm, gjithë dridhje, jo vetëm në mjediset e burgut, por edhe kur ai për rastet e hidhura vjen në Kosovë, sikur të mos ishte fjala për Njeriun që, mes dy rrugëve, nderit të Kosovës, të çliruar nga akuzat e politikës serbe, përcjellë përmes një senatori zviceran, që në fund, pasi kishte mbaruar detyrën, trembej se shërbimi i fshehtë serb mund ta vriste dhe , në të vërtetë vdiq në para kohën e tij, zgjodhi atë që do të ishte e rëndë në jetën e tij.

Mund të dëshmoj lirisht për zgjedhjen e tij të vetëdijshme.

Ka qenë një ditë marsi e shumë viteve më parë, kur, pas një udhëtimi të gjatë, në rrethinat e Prishtinës, u ndaluam të pinim një kafe me Hashim Thaçin, asaj kohe kryeministri i Kosovës. E ndjeja se ishte i lodhur, presioni për krijimin e Gjykatës Speciale, që tashmë njihet si Dhomat e Specializuara të Kosovës, ishte i përditshëm, i pa ndërprerë dhe nga të gjitha anët.

Askush tjetër në Kosovë nuk do të kishte mbi vete një peshë kaq të madhe, e, për më tepër, të ngritur mbi një turrë akuzash të ngritura nga zyra e prokurorit special të shtetit serb, që, më në fund kishin gjetur një krijesë të gatshme për të paraqitur materialin e tyre, në të cilin, e sanuar me kujdes do të ishte ajo që përbënte ngrehinën më të zhurmshme të akuzës, trafiku dhe transplantim i organeve jetësore, mbi të gjitha nga të burgosur serbë në luftën e Kosovës.

E dija se barra mbi shpatullat e tij do të ishte më e rënda që kishte pasur, por edhe e domosdoshme për t’u bartur.

Ishte një çast kur e pyeta nëse e dinte se e gjithë kjo mund të rëndonte edhe mbi fatin e tij personal, pasi, aso kohe, askush nuk e dinte se si o të ngriheshin akuzat e ardhshme, ashtu si e mendonim se do të kishte jo pak njerëz që, për asnjë shkak të qenësishëm, e që, deri dje kishin qenë çlirimtare, do të gjendeshin në akuzat e përbindshme.

-E di, u përgjigj qetësisht, edhe unë mund të jem pjesë e akuzës, faret e saj janë hedhur prej kohe, në fund të fundit e kem menduar edhe më herët se mund të ndodh kështu.

Tani ai është rikthyer në Hagë, kur prej kaq kohe vazhdon përndjekja politike e ligjore, që të dyja të pa drejta dhe absurde.

Sigurisht që ai e ka ndjerë këtë në jetën e tij. Të familjes. Të njerëzve të afërt. Të miqve. Kolegëve. Bashkëluftëtarëve. Sado mundohen ta zmbrapsin, ta përlyejnë, ai e ka vendin e tij.

Hapat më të rëndësishëm të Kosovës janë pjesë e jetës së tij, ashtu si jeta e tij është pjesë e jetës së Kosovës. Liria e saj, në një luftë të përgjakshme, ku tani duan të dënohen qendrestarët. Mjaft nga ata që e shikuan luftën si diçka të huaj, të prapështe dhe e ngritur nga një forcë politike e pa bindur, si ishte Lëvizja Popullore e Kosovës ka qenë e natyrshme të mos i gëzohen lirisë së saj. Mjaft nga ata që nuk e besuan kurrë se pavarësia e Kosovës është një çështje e ngritur nga lufta dhe mendja, dhe se, mbi të gjitha do të ishte reale, e prekshme, u gabuan.

Dy ditët e Thaçit në Kosovë treguan se asaj i mungon një burrë shteti që u rrit bashkë me shtetin. Duke e sendërtuar formësinë e saj, formësonin edhe ndjenjën e tyre drejt politikës reale. Duke ndërtuar strategjitë e duhura të politikës dhe kahen e duhur historike të drejt lëvizjes së saj, ata ngritën nga fillimi strukturat e këtij shteti. Me miq të shumtë, me njohjet e vrullshme, pasi qeveritarët e luftës ngjallën besimin e paqes. Jo mënjanimin, por integrimin kishin si busull; jo përzënien, por afrimin e bënë çështjen e ditës; jo ashpërsimin me mendimin politik ndërkombëtar, por bashkë rendimin. Kosova do të bëhej shteti më i ri në botë me njohjet më të shpejta e të vrullshme ndërkombëtare.

Pas largimit të Thaçit drejt Gjykatës Speciale , ndoshta jo rastësisht, asnjë shtet nuk e ka njohur më shtetin e ri të Kosovës dhe asnjë qeveritari të tanishëm nuk i bie ndër mend se kjo është rruga më e saktë drejt njohjes të mëtejshme ndërkombëtare dhe sigurisë politike e faktike të saj.

Dy ditët e qëndrimit të Thaçit në Kosovë dëshmuan se atje, tani, në këto ditë pas zgjedhjeve të fundit politike, asnjë forcë politike nuk dëshiron të jetë në qeverisje dhe asnjëra prej tyre nuk do të jetë jashtë qeverisjes. E duan pushtetin, pa thënë se janë në pushtet dhe i largohen pushtetit, duke e truar pushtetin.

Të marrësh përsipër atë që pak kush e bën, është dëshmi vullneti, jo karriere, është forcë vendoseshe dhe jo përfituese, në fund të fundit është sprova se ke tiparet e burrë shteti.

Thaçi e kishte këtë dhe e dëshmoi. U sulmua ashpërsisht, por nuk u tërhoq. Synuan përmbysjen e tij për të qenë në pushtet, dhe tani shohin se si nga ego e pushtetit mund të përmbysen shumë gjëra. Sajuan teori e komplote, për të rrëzuar atë që i kishte mundur gjithnjë dhe që përsëri do i mundte në luftën e politikës, po aq e ashpër, sa edhe ajo e luftës.

Megjithëse të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, të bëra nga qeveria e tij me qeverinë serbe, u anatemuan, tani duken shumë më të pranueshme se ata që u synuan të bëhen më pas, dhe, shumë më të dobishme.

Askush tani, në Kosovën e këtij viti nuk ka guximin të bëjë një marrëveshje përfundimtare me shtetin serb për kufijtë, Zajednicën, komunat me shumicë serbe, ajo që ndodhi në Ohër ishte shumë më e hidhur se sa parashikimet e mëparshme. U krijua një vorbull kaq e madhe, mbushur me idenë e tradhtisë, sa që, edhe ata që e krijuan, tani nuk mund të tërhiqen prej saj. Në fund të fundit, asnjëri prej tyre nuk kishte autoritetin, guximin dhe fatin politik që kishte zgjedhur Thaçi.

Mungesa e Thaçit në Kosovë është e ndjeshme. Shumë më e ndjeshme se sa në muajt e parë pas arrestimit të papritur të tij.

Gjykimi ndaj tij, si edhe ndaj bashkëluftëtarëve përkrah tij apo në Kosovë, është njëri ndër absurdet e zhvillimeve historike, që, mos qoftë e thënë, mund të ketë pasoja të ndjeshme në Kosovën e ardhshme.

Shumë pritja e kundërshtarëve të tij se, më në fund, gjykata e Hagës do të zbardhte disa nga vrasjet e pas luftës, ku shumica e të vrarëve janë nga radhët e ish luftëtarëve, por edhe figura të njohura të lëvizjes paqësore, po humbet. Për një fakt të thjeshtë: Ndërsa shërbimi sekret serb kishte punuar me përkushtim, sajesa dhe vegla të bindura për ndjekjen apo krijimin e rasteve që mund të gjykohen në Kosovë, ata nuk kanë përcjellë asnjë fakt apo të dhënë për vrasjet politike të pas luftës. Ndoshta nga që vrasjet janë bërë nga vetë strukturat e tyre dhe ujku i fshin gjithnjë gjurmët e tij.

Thaçi i duhet Kosovës.

Sot më shumë se dje.

Dy vajtjet e tij të shkurtra në Kosovë dëshmuan për këtë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit