Mbi një tollovi gjermane, e cila e shpjegon mirë se si funksionon politika. Nganjëherë edhe me kompromise jo aq aromatike.
Qeveria gjermane në largim e ka kandiduar ministren e jashtme Annalena Baerbock për kryetare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Një lajm i mirë për zonjën Baerbock. Meqë ajo dhe partia e saj e gjelbër nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme gjermane, Baerbock mund të marrë një vend prominent pune në New York.
Por ky emërim ka ngjallur polemika pjesërisht të ashpra në Gjermani. Që në korrik të vitit të kaluar, qeveria gjermane e prezantoi diplomaten me përvojë Helga Schmid si kandidate për kryetare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Zonja Schmid, e cila punon qe 35 vjet në diplomacinë gjermane, filloi të përgatitet për postin e saj të ri në OKB. Schmid ka eksperiencë diplomatike në Berlin, në Bruksel dhe në Teheran. Ajo ka punuar në ekipin e ministrit të jashtëm Klaus Kinkel dhe të kancelarit Helmut Kohl. Pastaj ka qenë shefe e kabinetit të ministrit të jashtëm Joschka Fischer.
Tani qeveria gjermane e ndërroi kandidaten për postin në OKB – në vend të Schmid u propozua Baerbock. Pse ndodhi kjo? Akuza që po qarkullon në mediat gjermane është kjo: partia e Baerbock nuk do të jetë më pjesë e qeverisë, andaj edhe Baerbock mund të mbeste pa punë (së paku pa një punë prestigjioze), andaj u mor vendimi që t’i jepet përparësi ministres së Jashtme dhe të injorohet njëra prej diplomateve më brilante të Gjermanisë.
Shkurt e shqip: zonja Baerbock ia mori vendin e punës zonjës Schmid. Shumë vëzhgues pyesin: ku mbeti solidariteti mes grave në politikë? Një komentatore e gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” u përgjigj kështu: “Gratë janë po aq të afta sa burrat për të përdorur bërrylat e tyre”.
Qeveria gjermane tha se për emërimin e zonjës Baerbock është konsultuar edhe me qeverinë e ardhshme potenciale, pra përfshirë edhe kancelarin në ardhje Friedrich Merz. Atëherë lind pyetja: pse Merz dha pëlqimin? Edhe për këtë ka një supozim mjaft bindës: për të miratuar në parlament planet për themelimin e një fondi prej 500 miliardë euro për ushtrinë dhe infrastrukturën e Gjermanisë, dy partive që do të krijojnë qeverinë e ardhshme, pra konservatorëve të CDU e CSU dhe socialdemokratëve (SPD), u duhej mbështetja e të gjelbërve. Për të kaluar idenë e fondit në parlament duhej ndryshuar edhe Kushtetuta. Kjo u bë me ndihmën e të gjelbërve. A thua si shpërblim për votën e tyre, të gjelbërve iu premtua se dy partitë e ardhshme qeveritare nuk do të kundërshtojnë kandidaturën e zonjës Baerbock?
Christoph Heusgen, këshilltar shumëvjeçar për politikë të jashtme i kancelares Angela Merkel, ish-ambasador i Gjermanisë në OKB dhe ish-drejtor i Konferencës së Sigurisë në Mynih, tha për gazetën “Tagesspiegel”: “Është fyerje të zëvendësosh diplomaten më të mirë dhe me përvojën më të madhe ndërkombëtare të Gjermanisë me një model të vjetër”.
Heusgen nuk e la me kaq kritikën e tij. Ai e quajti emërimin e Baerbock një “Aktion Abendrot” që në shqip i bie: aksham pazari. Pra, ministrja ia siguron vetes një vend pune para se të largohet nga Ministria e Jashtme. Heusgen shtoi: “Helga Schmid ka qenë shefe e kabinetit të Joschka Fischerit, sekretare e përgjithshme e Shërbimit të Jashtëm Europian, e cila negocioi marrëveshjen bërthamore iraniane dhe më pas u bë sekretare e përgjithshme e OSBE-së, të cilën e mbrojti nga shpërbërja”.
Në fund Heusgen pyeti: “A është kjo politikë e jashtme feministe?” Gjatë mandatit të saj si ministre e Jashtme, Baerbock është mburrur se ndjek një politikë të jashtme feministe. Edhe ish-ministri i jashtëm, Sigmar Gabriel, kritikoi vendimin e Baerbock duke thënë se Schmid është “diplomate e shkëlqyer”, andaj, sipas tij, “zonja Baerbock ka shumë për të mësuar prej saj”.
Pas këtyre kritikave nuk vonuan kundërreagimet. Një politikane e gjelbër ia përkujtoi zotit Heusgen gabimet e mëdha ndaj Rusisë gjatë kohës sa ka qenë në kabinetin e kancelares Merkel. Një politikan socialdemokrat e qortoi ish-ministrin e jashtëm Gabriel duke e fajësuar po ashtu për shumë gabime, mes tyre edhe ndaj Rusisë.
Helga Schmid preferoi të heshtë. Ish-shefi i saj Joschka Fischer me një rast e pati përshkruar atë si “hienë me lara”. Fischer e mendoi këtë si kompliment dhe Schmid e kuptoi si kompliment, andaj ajo iu përgjigj në gazetën “Süddeutsche Zeitung”: “Hienat me lara janë gjuetare të afta. Ato njihen si fleksibile dhe, mbi të gjitha, shumë këmbëngulëse – dhe gjithashtu si kafshë janë mjaft elegante”. Ky është arti i diplomacisë.
Zgjedhja e Annalena Baerbock është paraparë për në muajin qershor. Asambleja e Përgjithshme është organi kryesor këshilldhënës i Kombeve të Bashkuara, një lloj parlamenti i OKB-së. Ajo përfshin të gjitha 193 shtetet anëtare. Mes tjerash ajo zgjedh anëtarët jopermanentë të Këshillit të Sigurimit dhe emëron Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së mbi bazën e rekomandimeve të Këshillit të Sigurimit.
Mënyra e emërimit të Annalena Baerbock e shpjegon mirë se si funksionon politika. Nganjëherë edhe me kompromise jo aq aromatike./KOHA